Frustrimi që vuan dhe gazetaria: Pulë me Ramën, skifter me Berishën!
Kryeministri Rama tha një të vërtetë në kritikën e radhës ndaj drejtësisë, me shkak çështjen Balluku.
Pavarësisht faktit se sa të drejtë ka në këtë çështje, te ajo që drejtësia vijon të jetë e frustruar përballë Berishës e nga ana tjetër plot guxim ndaj Ramës, aty nuk është e mundur të mos i japësh të drejtë.
Është një frustrim që e shfaq dhe gazetaria: pulë me Berishën, skifter me Ramën.
Tha ai para deputetëve të tij:
“Por, ndërkohë unë personalisht qëndroj me shpresë dhe besim dhe përpiqem t’ju ushqej me këtë shpresë shumë partizanë të zhgënjyer nga reforma në drejtësi, pasi gjithmonë dhe më të shumta janë rastet e brutalitetit, të prokurorëve por dhe të gjyqtarëve.
Këta të fundit kanë arritur maja që habisin dhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij qyteti të reformës në drejtësi, të cilët kur dëgjojnë që një gjykatës i thotë prokurorit ‘rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën’ apo një tjetër gjykatës në apel i jep akuzës një dënim dhe më të rëndë se ai që kishte në shkallë të parë, kujtojnë anglishtfolësit që këto janë bomba artizanale të propagandës.
Por halli më i madh është se nuk ka asnjë reflektim të dukshëm në horizontin e pushtetit gjyqësor dhe këtë shqetësim ma përforcon një fakt që unë ngre shqetësime të kësaj natyre, këshillat e prokurorisë dhe gjyqësorit sipas rastit më ngjeshin si pullë poste disa deklarata si ato të njerëzve që një daulle dasme u prish gjumin e drekës me disa thirrje bajate për aktorët politikë që të mos i bëjnë presion drejtësisë, bla bla.
Pavarësisht faktit që unë nuk jam aktor politik, por kryeministri i dalë nga një votë popullore që i dha PS një fitore të hatashme dhe kjo parti nuk e ka një konkurrent në historinë botërore si faktori qeverisës më mbështetës i pavarësisë në drejtësi dhe faktori politik më i heshtur nga fajet dhe gafet, në thelb unë ngre probleme serioze me të cilat duhet të merren në fakt pikërisht hartuesit e atyre deklaratave të kota dhe para se të shkruajnë me kollaj fjalën presion, është fjalë e madhe presion, për mbështetësin më të madh të pavarësisë së tyre që jam unë, mirë është ta kujtojnë se ku ishin fshehur kur paraardhësi e ulte dhe e ngrinte lavire prokuroren e përgjithshme.
Ose nëse ju vjen zorr ta kujtojnë ku ishin fshehur, le të mos e harrojnë se tani sot në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot jo një deklaratë po gjysmë llafi, pasi del dhe i lexon librin e shtëpisë prokurorit tonë më kurajoz mu te dera e SPAK.
Prandaj u sugjeroj të merren me mesazhe, jo me mesazherin, sepse paguhen si frëngu pulën me taksat e shqiptarëve bashkë me 500 sekretarë dhe këshilltarë që të qeverisin sistemin e drejtësisë dhe jo të ankohen për sulme inekzistente nga unë që u kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur e cila qëndronte në zyrën time e varur që nga viti 1912. Kurrë nuk do të ndërhyjmë në çështjet që i takojnë drejtësisë”.
Sa për Ballukun, ai tha: “Dua të ndaj me ju këtu diçka e kam thënë dhe pa praninë e publikut përmes mediave: Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë qysh kur ju ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion, se ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë duke marrë shumat e shpenzuara a për të ndërtuar veprat, akuza nuk është për korrupsion, nuk ka akuzë për korrupsion, por pabarazi në tendera, pastaj ma ka sjellë sërish me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Kushtetueses”, tha Rama, teksa ka bërë me dije se e ka refuzuar kategorikisht çdo dorëheqje, duke theksuar se në këtë fazë të zhvillimit të drejtësisë në vend nuk mund të ndjekin një “valle dorëheqjesh automatike” sa herë ngrihet një akuzë. /tesheshi



