Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, qeveria e të cilit organizoi një sofër iftari, është shprehur se respekti dhe bashkëjetesa janë themel i shoqërisë, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Mickoski darkën e iftarit të organizuar nga qeveria e përshkroi si një moment bashkimi, respekti dhe lidhjeje shpirtërore.
“Në frymën e këtyre vlerave, mbrëmjen e kaluam në një atmosferë të ngrohtë, duke biseduar, duke ndërtuar miqësi dhe duke konfirmuar se respekti dhe bashkëjetesa janë themeli i shoqërisë sonë”, shkroi Mickoski.
Sipas kryeministrit maqedonas, takime të tilla na kujtojnë se diversiteti është një forcë për shoqërinë dhe se mbështetja e ndërsjellë është rruga drejt një komuniteti më të fortë dhe më të bashkuar.
Ai gjithashtu uroi të gjithë besimtarët muslimanë për muajin e Ramazanit, duke u dëshiruar paqe, shëndet dhe ditë të bekuara.




