Kryq i Kuq: Situata në Gaza është “ferr në tokë”

Presidentja e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Mirjana Spoljaric, e ka përshkruar situatën në Rripin e Gazës si një “ferr në tokë”, ndërsa paralajmëron se spitali i tyre fushor do të mbetet pa furnizime brenda dy javësh.

“Njerëzit nuk kanë akses në ujë, energji elektrike apo ushqim në shumë zona,” deklaroi ajo nga selia e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gjenevë.

Që nga data 2 mars, asnjë ndihmë humanitare nuk është lejuar të hyjë në enklavën palestineze, për shkak të bllokadës izraelite. “Për gjashtë javë nuk ka hyrë asgjë, dhe brenda pak javësh do të na mbarojnë furnizimet e nevojshme për funksionimin e spitalit,” shtoi ajo.

Spoljaric gjithashtu shprehu shqetësim për sigurinë e operacioneve humanitare, duke thënë: “Është jashtëzakonisht e rrezikshme për popullatën të lëvizë, por gjithashtu shumë e rrezikshme për ne që të veprojmë.”