Kur do të flasë burrnia?

Hoxhë Justinian Topulli

Jo më kot Zoti na rrëfen në Kuran histori dhe ngjarje të ndryshme, sidomos ato të profetëve, që të jenë model dhe frymëzim për besimtarët.
Kështu që si mund të jetë ndjekës i Kuranit dikush që lexon historinë e Musait (alejhi selam) dhe Faraonit dhe përsëri nuk e çon nëpër mend të përballet me pushtetin e zullumqarëve dhe tiranëve?!
Si mund të jetë ndjekës i Muhamedit (alejhi salatu ue selam) dhe heziton të ecë në gjurmët e tij, dikush që studion jetën e tij dhe sheh sesi ai vuajti dhe u përball me parinë e Mekës, që nuk la gjë pa i bërë deri edhe tentoi ta vriste dhe përsëri nuk heshti?!
Si mund të jetë ndjekës i sahabëve, ai që mëson se ata sakrifikuan çdo rehati dhe jetën e tyre për këtë kauzë dhe këtë fe dhe vetë kërkon të mos i hyj asnjë gjemb në këmbë?!
Si mund të jetë ndjekës i selefëve, ai që mëson sesi u vra Husejni, Abdullah ibn Zubejri, Makël ibn Sinan el-Eshxhai, Muadh ibn el-Harith, Abdullah ibn Handhaleh prej sahabëve, Seid ibn Xhubejri, Abdullah ibn Safuan, Muhamed ibn Sad ibn Ebi Uekas prej tabiinëve dhe shumë të tjerë në ngjarjen e Harres në Medinë nga pushteti zullumqar, dhe pastaj të trembet vetëm nga frika se po u prishet rehatia e veprimtarisë personale?!
Si mund të pretendojë dikush që ndjek Imam Ebu Hanifen dhe Imam Malikun, kur ishin pikërisht këta imamë që nuk iu nënshtruan pushtetit të zullumqarit edhe pse u burgosën dhe u persekutuan dhe nuk dhanë fetva në favor të tij, përkundrazi mbështetën ata që i dolën kundra atij?!
Si mund të jenë ndjekës të Imam Ahmedit ata të cilët heshtin ndaj zullumit, heretizmit dhe devijimit të atij që e quajnë të parë të muslimanëve, ndërkohë që imami i tyre u rrah dhe u burgos pse refuzoi t’i bëjë amin në fund të fundit kalifit zullumqar të manipuluar nga të tjerët dhe jo një kryetari gylenist të padenjë të KMSH apo një myftiu manipulues?!
Si mund të tremben nga autoriteti fals i disa njerëzve pa autoritet, ata që e vlerësojnë Iz ibn Abduselamin si Sulltani i dijetarëve, ndërkohë që ai u hakërrehej me hak pa frikë prijësve të korruptuar të vendit të tij, të atillë që të merrnin jetën dhe pasurinë?!
Si mund të kenë referencë jetën dhe fjalën e Ibn Tejmijes ata që e dinë se ai vdiq në burg dhe nuk iu tremb syri edhe para mbretit të tatarëve, ndërkohë që ai vinte të pushtonte Damaskun?!
Si mund të krenohen dhe kremtojnë sakrificën dhe kontributin e H. Ali Korçës, H. Ibrahim Dalliut, Mustafa Varoshit, H. Sabri Koçit e shumë të tjerëve, ata që e dinë se këta njerëz u internuan, burgosën dhe vdiqën në burgjet e një nga rregjimeve më gjakatare që ka parë historia, ndërkohë që vetë nuk guxojnë t’i thonë as jo shkeljeve të statutit nga disa myftinj dordolec, që as laraskat nuk trembin dot?!
Lista e emrave të atyre burrave shembuj, që historia islame ka nxjerrë është shumë fish më e gjatë se kaq, ndërkohë që për të ardhur keq ata për shumë prej nesh janë thjesht histori të largëta që mbushin faqet e librave të vjetër!
Ku është mbështetja tek Allahu dhe guximi dhe për t’i thënë ndal së keqes dhe ilegjitimitetit?!
Ku është xhelozia për fenë dhe të vërtetën, kur kjo është një nga obligimet më madhore të davetit?!
Si mund të përballen me ligësinë, korrupsionin dhe kriminalitetin që ushtrohet nga njerëz të lidhur me shtetin, kur disa prej nesh nuk guxojnë të thonë edhe një gjysmë fjale ndaj drejtuesve të trembur të një institucioni që ka statusin e një shoqate?!
I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Asnjë burrë të mos ndalet nga frika e njerëzve për të thënë të vërtetën që di. Padyshim që xhihadi më me vlerë është fjala e vërtetë para pushtetarit të padrejtë.” (Ahmedi 11160, Tirmidhi 2174, Ebu Daudi 4344)

Nga: Justinian Topulli