Kur drejtësia vonohet

Hoxhë Rufat Sherifi

Pas masakrave të njëpasnjëshme, pas vrasjes së mbi 70.000 njerëzve ,shumica gra e fëmijë , pas shkatërrimeve masive, urisë së imponuar me dhunë ndaj popullsisë, pas shkatërrimit pa mëshirë të institucioneve publike si shkollat, faltoret dhe spitalet, pas dëbimit të dhunshëm të njerëzve nga vatrat e tyre shekullore, si dhe nën presionin e ndërgjegjes së gjallë të popujve, e shprehur përmes protestave të shumta dhe kërkesave të njëpasnjëshme për ndëshkimin e agresorëve , më në fund u aktivizua, të paktën pjesërisht, ndërgjegjja e fjetur e disa shteteve ndaj asaj që ndodhi dhe po ndodh në Gaza dhe bregun perendimore të Palestinës.
U deshën gati dy vite të tëra që opinioni i gjerë ndërkombëtar të tronditej nga pamjet makabre të bombardimeve, shkatërrimeve, shpërnguljeve dhe vrasjeve , për të kuptuar realitetin e thjeshtë: kush është xhelati dhe kush viktima. Po aq u desh që të binte maska e një shteti që për dekada u paraqit si “demokracia e vetme në Lindjen e Mesme”, e mbrojtur dhe e promovuar nga shumë intelektualë dhe institucione ndërkombëtare. Sot, bota po sheh fytyrën e tij të vërtetë: të egër, të brishtë dhe thellësisht jodemokratik.
Raportet dhe faktet mbi gjenocidin e ushtrisë izraelite ia rikujtuan bashkësisë ndërkombëtare shumë vendime dhe rezoluta të marra ndër vite nga organizatat ndërkombëtare , vendime që shpesh kanë mbetur vetëm letra të pavlefshme, të harruara mes krizave të tjera. Dhe sot, kur disa shtete po marrin guximin të njohin shtetin palestinez, ka vend për gëzim, por edhe për kujdes.
Sepse njohja, apo rikonfirmimi i saj, është padyshim një hap i rëndësishëm dhe i mirëpritur. Por pyetja e madhe është: çfarë kushtesh do të shoqërojnë këtë njohje? Shumë herë në historinë e konflikteve, kushteve të padrejta u është dhënë petku i “paqes”, duke e paraqitur viktimën si fajtore , sikur ajo të ishte ajo që refuzon zgjidhjen.
Prandaj, mbetet të shohim nëse këto iniciativa janë me të vërtetë për një zgjidhje të drejtë, apo thjesht për të shpëtuar pjesërisht aleatin e vjetër, apo edhe për të ndërtuar një lojë të re diplomatike që fsheh detaje të panjohura për opinionin publik.
Fillimi është shpresëdhënës. Por mesi dhe fundi do të tregojnë nëse kemi të bëjmë me drejtësi të vërtetë, apo me një kompromis të ri që rëndon përsëri mbi viktimën. Historia na ka mësuar se pas fjalëve të mëdha shpesh fshihen “bishta” që mbeten plagë të hapura.

Hoxhë: Rufat Sherifi