Nën qiellin e Shamit, të rënduar me aromën e historisë, dhe në hijen e ditës së katërt të muajit të bekuar të Ramazanit të vitit 666 hixhri, toka ishte në takim me një kapitull të ri të lavdisë dhe dinjitetit. Nuk ishin thjesht ditë agjërimi e namazi nate, por ditë në të cilat emrat e heronjve shkruheshin me bojë drite në kujtesën e kohës.
Në atë horizont u shfaq sulltan Bajbars i parë, komandanti fitimtar, gjaku i kuajve të të cilit ende nuk ishte tharë pas betejës së Ajn Xhalutit, kur ai u ngrit për të vendosur gurthemelin e shtetit madhështor memluk, duke e bërë veten një mburojë të pathyeshme për Islamin në Egjipt, Sham dhe Hixhaz.
Në zemër të stuhisë
Bajbars i parë e gjeti veten në zemër të një uragani që godiste umetin nga dy drejtime: nga lindja përparonin mongolët me errësirën e tyre, duke pritur rastin për t’u hakmarrë për humbjen e turpshme; ndërsa nga perëndimi kryqtarët ishin grumbulluar në principatat e tyre, të ushqyer nga ndihma e pandërprerë e Evropës, me synimin për t’ua thyer fuqinë myslimanëve.
Por Bajbars i parë nuk ishte një komandant i zakonshëm; ai ishte njeri me një vendosmëri që rrëzonte malet. Ai hartoi për vete një metodologji ushtarake të veçantë, të mbështetur në rreptësinë që nuk lëkundet, në zgjuarsinë që i paraprin veprimit dhe në fshehtësinë e plotë që mbulonte lëvizjet e tij edhe nga ushtarët më të afërt. Ai lëvizte si një fat i pashmangshëm; askush nuk e dinte ku do të godiste, derisa goditja të ndodhte dhe kështjellat të shembeshin para tij.
Rruga drejt fitores: pastrimi i tokës dhe i shpirtit
Ndërsa kuajt e sulltanit përshkonin tokën drejt Antiokisë — ajo principatë e fuqishme — Bajbars i parë e dinte se fitorja zbret vetëm mbi zemrat e pastra.
Ai kaloi nëpër qytetet e Shamit si një erë e mirë, urdhëroi ndalimin e të këqijave, thyerjen e enëve të verës dhe ngriti në Homs minaret e një xhamie të re. Në thellësi të vetes ai besonte se “pastrimi i vendit nga mëkatet është ura e vërtetë mbi të cilën ushtria kalon drejt fitores së qartë”. Kështu ishin udhëheqësit e mëdhenj: fillonin me xhihadin e vetvetes dhe përmirësimin e shoqërisë para se të ngrinin shpatat kundër armikut.
Takimi i fatit në Antioki
Kur fryma e Ramazanit filloi të ndihej dhe dielli i krenarisë u ngrit, sulltani dhe ushtria e tij qëndruan mbi muret e Antiokisë, kryeqyteti i principatës kryqtare që kishte rezistuar gjatë. Pamja ishte madhështore: një ushtri agjëruese që kërkonte hatrin e Allahut, një komandant fitimtar që nuk njihte thyerje dhe një rrëfim i madh çlirimi që po i afrohej kapitullit të fundit nën praninë e muajit të bekuar.
Burimi: mugtama.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








