Basri Beka, si një tellall dhe një nga zërat e Lëvizjes së Deçanit, duket se ka marrë përsipër një mision të çuditshëm: të mohojë, të relativizojë dhe të shtrembërojë çdo të dhënë historike që nuk përputhet me qëllimet e tija dhe të bashkëmendimtarëve . Një mision të tillë para viteve të ’90-ta e kishin stalinistët si në Prishtinë, Beograd e Tiranë. Në këtë qasje, ka kohë që përpiqen, me çdo kusht, në çdo rrethanë e me çdo mjet, ta godasin veçanërisht Bashkësinë Islame të Kosovës, institucionet e saj arsimore, trashëgiminë islame dhe kontributin e tyre në jetën kombëtare e shoqërore të shqiptarëve.
Në këtë rrafsh, Basri Beka së fundi paska bërë një shkrim-pamflet, në të cilin, në emër të shqiptarizmës, paska mbetur i habitur dhe qenka ndier keq që disa portale paskan risjellë në vëmendjen e publikut video, shkrime, deklarata, vlerësime e prononcime të personaliteteve tona të shquara nga jeta akademike, intelektuale, politike, ushtarake dhe çlirimtare për kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, Medresesë e FSI-së dhe personaliteteve të saj, sidomos gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Kosova qe e okupuar nga regjimi i Millosheviqit.
Madje, për këto vlerësime, sipas filozofisë mesjetare të inkuizicionit që ndjek Basri Beka, mentorët e tij dhe ata që e ndjekin, të tubuar rreth Lëvizjes së Deçanit dhe lëvizjeve të tjera si motra të saj, i konsiderojnë ato si “propagandë e portaleve islamike dhe e BIK-ut për falsifikimin e historisë”, duke kërkuar përgjigjen e Prokurorisë sipas nenit 395 – “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”. Vetëm te ne dhe vetëm me mendësi të inkuizicionit e shkollës së stalinistëve, një misionar përçarës, siç është Basri Beka dhe lëvizja që ai përfaqëson, dëshmitë reale të dhëna nga personalitete me kredibilitet të plotë i shpall pengesë, i quan të falsifikuara, ndërsa kërkon që Prokuroria të ndërhyjë për ta ndaluar të vërtetën. Ndërsa, në anën tjetër, historinë dhe të kaluarën tentojnë ta fabrikojnë sipas oreksit të tyre, të bazuar mbi gënjeshtra, të pavërteta e sajime të krijuara për ta ndryshuar në mendjen e tyre realitetin që ka ndodhur.
Por Basriu nuk ndalet vetëm tek kjo kërkesë sa e çuditshme, jo humane e antihistorike, por vazhdon me insinuata, trillime e gënjeshtra ndaj dy institucioneve të BIK-ut: Medresesë “Alauddin”, një ndër objektet kryesore të kryeqytetit që ishte në funksion të lëvizjes kombëtare në vitet e ’90-ta, dhe Fakultetit të Studimeve Islame, të themeluar më 1993, duke u munduar që, me disa mendime idioteske të stilit stalinist të dikurshëm, t’u hedhë hije dyshimi në veprimtarinë e tyre.
Megjithatë, institucionet e BIK-ut dhe vetë BIK-u nuk kanë funksionuar jashtë realitetit historik, por kanë qenë pjesë e tij dhe kanë vepruar në të njëjtat rrethana në të cilat populli i Kosovës po përgatitej për liri, për çlirim dhe për ndërtimin e shtetit.
Prandaj, çdo përpjekje për ta shkëputur veprimtarinë e këtyre institucioneve nga ky kontekst historik, për ta paraqitur atë si të dyshimtë apo për ta tjetërsuar kontributin e tyre, nuk është vetëm një shtrembërim i fakteve, por edhe një mohim i një pjese të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Në këtë kuadër duhet parë edhe mënyra se si Basri Beka dhe kolegët e tij flasin për Medresenë dhe Fakultetin e Studimeve Islame. Përpjekja për t’i paraqitur këto institucione sikur kanë qenë jashtë realitetit të asaj kohe apo sikur nuk janë përballur me rrethanat dhe presionet e regjimit të Millosheviqit nuk qëndron përballë fakteve.
Atakimi i Medresesë dhe i Fakultetit të Studimeve Islame me pretendimin se, gjoja, nuk janë penguar nga regjimi i Millosheviqit është një pohim i paqëndrueshëm dhe dashakeq, në funksion të mohimit, shtrembërimit dhe tjetërsimit të historisë dhe të gjendjes reale të asaj kohe.
Basri Beka dhe të gjithë bashkëmendimtarët e tij duhet ta dinë se objekti i Medresesë dhe infrastruktura e saj nuk kanë qenë pronë shoqërore, siç kanë qenë ato që quheshin atëherë objekte publike: shkollat, spitalet, çerdhet, institucionet komunale, institucionet administrative, akademike e kulturore, të cilat, siç dihet, Serbia i okupoi dhe prej tyre i dëboi shqiptarët, por kanë qenë pronë e Bashkësisë Islame të Kosovës. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtesën e Fakultetit të Studimeve Islame. Pra, thënë thjesht, edhe godina e Medresesë, edhe ajo e FSI-së kanë qenë dhe janë edhe sot e kësaj dite pronë e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilën paraardhësit tanë e kanë lënë vakëf. Edhe financimi i Medresesë dhe i FSI-së është bërë nga Bashkësia Islame e Kosovës, respektivisht nga populli.
Të njëjtin status, Basri dhe ju të gjithë të tjerët, e kanë pasur edhe objektet e kultit të secilit besim, qoftë ai islam apo katolik.
Po sistemi i shkollave tona shqipe gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të shkuar, të cilave regjimi ua kishte mbyllur dyert dhe ua kishte penguar veprimtarinë, e ka zhvilluar aktivitetin e vet në objekte private e, në shumë raste, edhe në objektet e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke përfshirë këtu Medresenë, Fakultetin e Studimeve Islame dhe objektet e tjera të saj, si në xhami, mejtepe dhe objektet e tjera përcjellëse.
Ku i ka zhvilluar veprimtaritë e veta mësimore arsimi shqip në atë periudhë? Në objekte private, por edhe në shumë raste në ambientet e Medresesë dhe të FSI-së, në objektet e xhamive dhe të mejtepeve. Çfarë ka këtu të paqartë, përveç spekulimeve, sajesave, gënjeshtrave dhe të pavërtetave?
Ndërsa, sa i përket themelimit të Fakultetit të Studimeve Islame, në Prishtinë është themeluar në vitin 1993, me vendim të organeve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, si dhe me profesorët veteranë e me kredibilitet akademik e kombëtar të Kosovës.
Dhe këtu Basri Beka duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë: Sa njësi akademike e arsimore janë themeluar në kuadër të UP-së gjatë viteve të ’90-ta? A mund të quhen të gjitha këto njësi akademike pjesë e ndonjë projekti të Serbisë vetëm pse janë themeluar apo kanë funksionuar në rrethana të caktuara politike?
Nëse jo, atëherë pse kjo logjikë përdoret pikërisht ndaj Fakultetit të Studimeve Islame?
Pra, e vërteta është: FSI-ja është themeluar nga Bashkësia Islame e Kosovës, në objektin e saj, me kuadër të saj dhe me financimin e saj, për të përgatitur kuadrin e nevojshëm për nevojat e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ky është realiteti i themelimit dhe i funksionimit të tij.
Përveç kësaj, dua të them edhe diçka përtej opinionit tim për këta të Lëvizjes së Deçanit: pretendimi për ta përbaltur historikun dhe aktivitetin e Bashkësisë Islame të Kosovës gjatë viteve ’90 është mision hipokrit, i pamundur dhe i dashakeqësve të këtij vendi e këtij populli.
Por një gjë po ua rikujtoj Basri Bekës dhe juve të Lëvizjes së Deçanit: nga viti 1989 deri në vitin 1999 të shekullit të kaluar, nga populli i Kosovës dhe elita jonë akademike, kulturore, studentore, e edhe teologjike janë themeluar institucione, janë formuar organizata, shoqata e parti politike, si dhe lëvizje çlirimtare, të cilat i kanë dalë zot këtij vendi dhe këtij populli. Ato e kanë edukuar, e kanë arsimuar dhe e kanë përgatitur popullin për liri dhe për shtetësi.
Prandaj, të ndërtohen mbi këtë fakt pretendime që nuk kanë lidhje me mënyrën se si është themeluar, financuar dhe funksionuar FSI-ja nuk është analizë historike. Është përpjekje për t’i përshtatur faktet një tezeje të ngritur paraprakisht.
Basri, mos e ngatërroni historinë me interpretimet tuaja. FSI-ja ka historinë e vet, themeluesin e vet, pronën e vet, financimin e vet dhe misionin e vet. Është krenare për misionin dhe të arriturat e saj, e këto nuk i zhbën fushata juaj e mjerë dhe e rreme. Pra, faktet nuk mund të zhbëhen me etiketime dhe me pretendime që nuk mbështeten në realitetin historik.
Krejt në fund, Medreseja, Fakulteti i Studimeve Islame dhe e tërë Bashkësia Islame kanë funksionuar në të njëjtat kushte dhe rrethana në të cilat ka funksionuar edhe arsimi shqip dhe institucionet e tjera të shqiptarëve, duke lënë të hapura dyert dhe ambientet e veta për shkollat e arsimit shqip, për Universitetin e Prishtinës, si dhe për institucionet e tjera shkencore, kulturore e akademike. Për këtë mund të pyeten përfaqësuesit e UP-së, përfaqësuesit e shkollave të mesme, ata të LASH-it, përfaqësuesit e partive politike dhe asociacioneve të tjera që kanë vepruar aty. Do ta marrin përgjigjen meritore dhe të vërtetë.
Ju paska penguar vlerësimi i autoriteteve tona për kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saj, por ato autoritete janë pjesë e historisë së popullit tonë. Ato kanë vepruar dhe kanë funksionuar në infrastrukturën e Bashkësisë Islame të Kosovës, respektivisht në infrastrukturën e saj, sepse infrastruktura e Bashkësisë Islame ka qenë dhe është në funksion të popullit.
Kjo është e vërteta, Basri. Dielli me shoshë nuk mbulohet dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas dëshirës së askujt.
Ramadan Shkodra








