Ballina Artikuj Kur të pathënat thonë shumë dhe kur e thëna thotë pak…

Kur të pathënat thonë shumë dhe kur e thëna thotë pak…

Rexhep Qosja

KUR TË PATHËNAT THONË SHUMË DHE KUR E THËNA THOTË PAK…
(Analizë mbi telegramet ngushëlluese të dy kryeministrave shqiptarë me rastin e vdekjes së akademikut Rexhep Qosja)
1. Kryeministri Rama e quan thjesht “shqiptar i mirë” (madje duke ia shtrembëruar mbiemrin), sikur të ishte ndonjë njeri i rëndomtë e i përvuajtur që s’meriton dot ndonjë epitet më të rrallë…
“Shqiptar i mirë”, mbiemri i shënuar gabimisht dhe “Profesor” (mirë që të paktën me p të madhe, sa për shfaqje afeksioni stilistik).
Sa shqiptarë të mirë që janë Profesorë ka shqiptaria? Të gjallë e të vdekur? Disa dhjetëra mijëra. Ndoshta qindra mijëra. Të reduktosh një erudit të papërsëritshëm në epitete kaq të zakonshme – vëmendje, duke mos e mohuar vlerën dhe domethënien që bartin, është ofendim i llojit të vet…
Estetika e të shprehurit është e shkallëzuar. Së këndejmi, t’i vësh vetëm epitete themelore dikujt që i meriton gojaplot dhe unanimisht epitetet më të kulluara e më të rezervuara si rezultat i veprës akademike, si rezultat i paepursisë intelektuale, si rezultat i mprehtësisë letrare e publicistike, si rezultat i kontributit të dokumentuar shtetformues – a nuk është turp? Nëse bëhet fjalë për shkarje, pse nuk u shty për pak më vonë e të përpilohej diç më e kulluar?! Nëse bëhet fjalë për shpërfaqje të qëllimtë, pse të thurej fare?!
2. Kryeministri Kurti bën një ndërlidhje të mjeshtërt midis fakteve që lidhen me Akademikun Qosja, që sot e tutje do të ketë lexim të ri edhe të veprave të vjetra etj.
Në një telegram të thukët mirë, kryeministri Kurti i shënon dhe i shenjon aspektet karakterizuese të subjektit në fjalë; flet për të pa ngarkesa të së kaluarës, pa teprime që do të tingëllonin klishe, pa kiç, pa profanitet, por vetëm aq sa kishte e ishte… Poetizuar me fjalë të tjera, piktura kurrë nuk do të ketë më shumë bukuri se natyra, por rëndom ekspozita për pikturat organizohen, se për natyrën dihet…
Episod shtesë?
3. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka kryeministër që është shqiptar (!). Kjo nuk e përjashton kryeministrin nga fajësimi se nuk ka thurur gjë, se pëndryshe po bëhet fjalë për njeri që ka tejkaluar kufijtë e etnikumit të vet, se nuk ka shquarje primare e të vetme angazhimin politik që mund të ketë qenë në ndonjë disfavor… Nejse.
Disa eksponentë politikë shqiptarë fare nuk thurën as dy fjalë për emrin më të popullarizuar të shtresës së letrave të larta e të thella. Çudi. Të tjerë thurën elozhe të mira, e disa shumë të mira, por jo ndonjë të nivelit të shkëlqyeshëm, të nivelit të notës pozitive maksimale që për disa njësi ka largësi prej notës pozitive standarde… Mbase mund të duken oksimorone, por nuk janë!
Po pse nuk qenkan për notë pozitive maksimale? Sepse u ngjajnë raportimeve gazetareske që vetëm informojnë, pa ndonjë thellësi ndikimi të vënë në pah, pa ndonjë gjurmë të përmendur që u ka mbetur nga leximi i veprave të tij, ndonjë lakim titulli vepre, referim simbolike e të ngjashme…
“Pikëllim”, “humbje e madhe”, “ngushëllim(e)”, urata të pandijuara, përpilim vetëm fjalish të thjeshta pohore dhe të shkurtra, diçkallënjka që thjesht zaptojnë vëmendje… të kujt përdorime janë këto? Të profanëve. Të dëgjuesve që nuk janë lexues. Të themeltarëve që nuk synojnë përpjetje…
Suma sumarum, madhështia e njerëzve të mëdhenj as lartësohet, as përulet me fjalët tona! Në fakt, ne shpërfaqim sa përngjitje kemi ndaj asaj madhështie, tregojmë sa e njohim madhështinë që ndokush e ka arritur, vërtetojmë sa dimë e sa mundemi të shohim…

Arsim Jonuzi

Arsim Jonuzi