Ballina Artikuj Mendimi i keq për njerëzit

Mendimi i keq për njerëzit

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Ndër shfaqjet e ekstremizmit dhe pasojat e tij është mendimi i keq për të tjerët dhe vështrimi ndaj tyre përmes një lenteje të zezë, e cila ua fsheh të mirat, ndërsa ua zmadhon të këqijat.

Për ekstremistin, pikënisja është akuza, ndërsa përfundimi i natyrshëm i akuzës është dënimi, në kundërshtim me atë që përcaktojnë fetë dhe ligjet: i akuzuari është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij.

Ekstremistët e tepruar nxitojnë gjithmonë të mendojnë keq dhe të akuzojnë për arsyen më të vogël. Ata nuk kërkojnë justifikime për të tjerët, por hulumtojnë për të meta dhe mbledhin gabimet, për t’i shpallur me të madhe, duke e shndërruar gabimin në mëkat dhe mëkatin në kufër!!

Nëse një fjalë apo veprim mund të interpretohet në dy mënyra: në një mënyrë që nënkupton mirësi dhe udhëzim, dhe në një mënyrë që nënkupton të keqe dhe lajthitje, ata i japin përparësi mundësisë së së keqes ndaj mundësisë së së mirës, në kundërshtim me atë që është transmetuar nga dijetarët e umetit, se parimi bazë është që gjendja e myslimanit të merret si e mirë dhe të përpiqemi, sa të jetë e mundur, t’ua japim fjalëve dhe veprimeve të tij interpretimin e duhur.

Disa prej të parëve tanë thoshin: “Unë i kërkoj vëllait tim justifikime, nga një justifikim deri në shtatëdhjetë, pastaj them: “Ndoshta ai ka edhe një justifikim tjetër që unë nuk e di!”

Kushdo që i kundërshton këta në një mendim apo sjellje, bazuar në një këndvështrim të tijin, akuzohet në fenë e tij për mëkat, bidat, përbuzje të Sunetit apo për çfarëdo tjetër që ua dikton mendimi i tyre i keq.

Nëse, për shembull, i kundërshton ata për sa i përket Sunetit të mbajtjes së shkopit ose të ngrënit ulur në tokë, të akuzojnë se nuk e respekton Sunetin ose se nuk e do të Dërguarin e Allahut (a.s), për të cilin u flijofshin babai dhe nëna ime!

Mendimi i keq i këtyre nuk kufizohet vetëm te njerëzit e thjeshtë, por shtrihet edhe te njerëzit e veçantë, madje edhe te më të shquarit ndër ta. Vështirë se shpëton ndonjë jurist, predikues apo mendimtar pa u prekur nga një shkëndijë e akuzave të tyre.

Nëse një jurist jep një fetva që ia lehtëson njerëzve dhe ua largon vështirësinë, në sytë e tyre ai është njeri që tregohet i shkujdesur ndaj fesë. Nëse një predikues e paraqet Islamin në një mënyrë që i përshtatet shijes së kohës, duke folur me gjuhën e njerëzve të epokës së tij për t’ua bërë të kuptueshëm, ai akuzohet se ka pësuar disfatë psikologjike përballë Perëndimit dhe qytetërimit perëndimor… E kështu me radhë.

Akuzat nuk u ndalën as te të gjallët; ato u shtrinë edhe te të vdekurit, të cilët nuk janë në gjendje të mbrohen. Nuk lanë pa goditur me shigjetat e akuzave asnjë personalitet të shquar: ky qenka mason, ai xhehmij, tjetri mutezilit. Madje, as imamët e medhhebeve të ndjekura — pavarësisht pozitës dhe meritave që kanë gëzuar ndër myslimanët në të gjitha epokat — nuk shpëtuan nga gjuhët e tyre dhe nga mendimi i tyre i keq.

Madje, e gjithë historia e umetit, me dijen, kulturën dhe qytetërimin e tij, është prekur nga këta njerëz, ashtu siç është prekur e tashmja, madje edhe më shumë. Për një grup prej tyre, ajo është një histori trazirash dhe konfliktesh për pushtet, ndërsa për të tjerë është histori e injorancës dhe kufrit, derisa disa prej tyre kanë pretenduar se i gjithë umeti ka rënë në kufër pas shekullit të katërt hixhri! Që moti, njëri prej paraardhësve të këtyre njerëzve i tha zotërisë së njerëzimit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, pas një ndarjeje që ai kishte bërë: “Kjo është një ndarje me të cilën nuk është synuar kënaqësia e Allahut! Bëj drejtësi, o Muhamed, sepse ti nuk ke bërë drejtësi!”

Pasioni i këtyre njerëzve për rrënimin, e jo për ndërtimin, është i hershëm, ndërsa prirja e tyre për të kritikuar të tjerët dhe për të lëvduar veten është një dukuri e njohur. Allahu i Lartësuar thotë: “Mos e lavdëroni veten; Ai e di më së miri se kush është i devotshëm.”[1]

Sëmundja e këtyre njerëzve është mendimi i keq, i rrënjosur thellë në shpirtrat e tyre. Sikur t’i ktheheshin Kuranit dhe Sunetit, do të gjenin në to atë që mbjell te myslimani mendimin e mirë për robërit e Allahut. Nëse vëren një të metë, ai e fsheh atë, në mënyrë që Allahu ta fshehë atë në këtë botë dhe në botën tjetër; ndërsa nëse vëren një të mirë, e shfaq dhe e përhap. Një e metë që ka parë te një mysliman nuk e bën të harrojë të mirat e tij të tjera, qofshin ato që i di apo që nuk i di.

Po, mësimet islame paralajmërojnë me forcë të madhe kundër dy cilësive:

Mendimit të keq për Allahun dhe mendimit të keq për njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Largohuni nga shumë dyshime, sepse disa dyshime janë mëkat.”[2] Ndërsa Profet (a.s) thotë: “Ruajuni nga dyshimi, sepse dyshimi është fjala më e rreme.”[3]

Themeli i gjithë kësaj është vetëkënaqësia dhe përçmimi i të tjerëve. Prandaj, mëkati i parë ndaj Allahut në botë ishte mëkati i Iblisit, themeli i të cilit ishte vetëkënaqësia dhe mendjemadhësia: “Unë jam më i mirë se ai.” Mjafton për të na paralajmëruar kundër kësaj prirjeje hadithi i saktë profetik: “Nëse dëgjoni një njeri të thotë: “Njerëzit janë shkatërruar”, atëherë ai është më i shkatërruari prej tyre.”[4]

Ky hadith është transmetuar me zanoren fet’ha mbi kaf, pra “fehuve ehlekahum”, si folje në kohën e shkuar, që do të thotë: ai ishte shkak për shkatërrimin e tyre, për shkak të qëndrimit të tij kryelartë ndaj tyre, mendimit të keq për ta dhe dëshpërimit që u shkaktonte nga mëshira e Allahut të Lartësuar. Gjithashtu është transmetuar edhe me zanoren damme, “fehuve ehlekuhum”, që do të thotë: ai është më i shkatërruari dhe më i shpejti në shkatërrim, për shkak të vetëkënaqësisë dhe admirimit të vetvetes, si dhe akuzave që u drejton të tjerëve.

Vetëkënaqësia është një prej veseve morale shkatërruese, të cilat dijetarët tanë i kanë quajtur “mëkatet e zemrave”. Për to ka paralajmëruar hadithi profetik, i cili thotë: “Janë tri gjëra shkatërruese: koprracia së cilës i bindesh, epshi të cilit i nënshtrohesh dhe vetëkënaqësia e njeriut me veten.”

Kjo, ndonëse myslimani nuk mashtrohet kurrë nga veprat e tij, por druhet se ato mund të kenë ndonjë të metë apo mangësi që pengon pranimin e tyre, pa qenë ai i vetëdijshëm për këtë. Kurani i përshkruan besimtarët që nxitojnë në vepra të mira dhe thotë për cilësitë e tyre: “Ata që japin atë që japin, ndërkohë që zemrat e tyre janë të frikësuara, sepse do të kthehen te Zoti i tyre.”[5] Në hadith është transmetuar se ky ajet i referohet atyre që kryejnë vepra të mira, por kanë frikë se Allahu nuk do t’ua pranojë ato.

Ndër urtësitë e Ibn Ataullahut është: “Ndoshta Allahu të hap derën e bindjes ndaj Tij, por nuk të hap derën e pranimit; dhe ndoshta të cakton të biesh në mëkat, por ai bëhet shkak për arritjen tënde. Një mëkat që të lë pas vetes përulësi dhe thyerje shpirtërore është më i mirë se një adhurim që të lë pas vetes vetëkënaqësi dhe mendjemadhësi!”

Thelbi i kësaj gjendet në një urtësi të Imam Aliut (r.a), i cili ka thënë: “Një mëkat që të trishton është më i mirë tek Allahu se një vepër e mirë që të bën të vetëkënaqur.”

Ibn Mes’udi ka thënë: “Shkatërrimi qëndron në dy gjëra: vetëkënaqësia dhe dëshpërimi.” Kjo sepse lumturia nuk arrihet veçse përmes përpjekjes dhe kërkimit; ai që është i vetëkënaqur me veten nuk përpiqet, sepse mendon se ka arritur, ndërsa i dëshpëruari nuk përpiqet, sepse, sipas tij, përpjekja nuk ka asnjë dobi.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Nexhm: 32.

[2] – Sure Huxhurat: 12.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Muslimi.

[5] – Sure Mu’minun: 60.