Kohët e fundit takova një nga prodhuesit më të mëdhenj të sallameve në vend. Mes të tjerash, ai më tregoi për katastrofën e cilësisë në këtë industri.
Më rrëfeu se kishte bërë një provë me produkte origjinale, me cilësi të lartë. Por produktet nuk shiteshin. U dha njerëzve mundësinë t’i provonin falas, por as kjo nuk funksionoi.
Në fund, kishte arritur në një përfundim që më tronditi: “Ne ua kemi prishur shijet njerëzve. Kemi rritur tri breza me shije të gabuara. Kemi bërë një krim, sepse ua kemi deformuar shijen dhe perceptimin. Kjo nuk na falet!”
Kjo shprehje më vrau, sepse kuptova se problemi nuk qëndron vetëm te ushqimi. Ne nuk ua kemi prishur njerëzve vetëm shijen për ushqimin, por edhe shijen për të vërtetën, të mirën dhe të drejtën.
Në rrafshin fetar, ua kemi deformuar aftësinë për të dalluar emocionin nga mendimi, mendimin nga veprimi dhe bindjen nga paragjykimi. Ua kemi dobësuar ndërgjegjen dhe aftësinë për të gjykuar me arsye.
Në arsim, ua kemi mjegulluar kufirin mes së vërtetës dhe së pavërtetës, së mirës dhe së keqes. Ua kemi deformuar modelet, vizionin dhe misionin, duke ua humbur kuptimin e asaj se përse jetojnë dhe çfarë përgjegjësie kanë në këtë botë.
Në biznes, ua kemi përmbysur konceptin e hallallit dhe haramit. Ua kemi deformuar etikën e punës dhe marrëdhënien me ligjin, duke ua mbushur mendjen se suksesi nuk arrihet me ndershmëri, por me padrejtësi, mashtrim dhe rrugacëri.
Dhe kështu, në çdo strukturë të jetës, nuk kemi deformuar vetëm sjelljen e njerëzve, por edhe shijen e tyre për të mirën, ndjeshmërinë ndaj së keqes dhe aftësinë për të njohur vlerën.
Prandaj, ndryshimi nuk mund të jetë thjesht sipërfaqësor. Nuk mjafton të ndryshojmë njerëzit, nëse nuk ndryshojmë mendësinë që i ka formuar. Nuk mjafton të ndryshojmë strukturat, nëse nuk ndryshojmë konceptet mbi të cilat ato janë ndërtuar.
Ndryshimi duhet të nisë nga thelbi, nga baza dhe gjeneza; nga mendësia, koncepti dhe origjina.
Sepse tragjedia më e madhe e një shoqërie nuk është kur humbet të mirën, por kur humbet aftësinë për ta njohur atë.
Dhe kur njeriu mësohet me të keqen, nuk ka më nevojë që dikush t’ia imponojë. Ai fillon ta kërkojë vetë, ta mbrojë dhe ta quajë të mirë.
Ky është krimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie: t’ia prishësh shijen për të vërtetën, derisa gënjeshtra t’i duket e natyrshme dhe e vërteta t’i duket e huaj
Hoxhë Vladimir Kera








