Ballina Lajmet Kosovë Vritet një person në Gjilan

Vritet një person në Gjilan

Një person është vrarë të dielën mbrëma në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Valon Osmani nga Policia e Gjilanit ka thënë për teve1.info se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i vrarë një person i gjinisë mashkullore, 29-vjeç.
Ai ka bërë të ditur se për rastin kanë pranuar informacione rreth orës 19:30.

“Sipas informatave fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore i lindur në vitin 1997. Vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë Osmani.

Për këtë rast, ai ka njoftuar se një person i njohur për organet e rendit është në kërkim.

“Lidhur me rastin një person i dyshuar mashkull kosovar i njohur për Policinë është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes.Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Osmani.

Kujtojmë se edhe të premten ndodhi një vrasje e dyfshitë në Livoç të Ultë në këtë komunë.