kur vetHarrohet Njeriu.

Fjolla Spanca

 

Duhet të ketë qenë verë, rrotull vitit 2007 a 2008, kur për së pari herë po sodisja prej afër fëshfërimën e agsholit drithënues buzë liqenit të Ohrit. Në sytë vocërrak, çdo gjë dukej përrallore, mu si kartolinat që ne dërgonim dikur, n’prag të ndrrimit të motmoteve, por një pështjellim i çuditshëm nga brenda as më linte të fluturoja e as më shtynte të notoja. Kishim vajtë për një punëtori të ngjeshur treditore dhe mundësitë për ta eksploruar qytetin e Ohrit ishin në mos të paqena, atëherë fare të imta e megjithatë, sërish shpresoja se do bubërroja ca ndën kalldrëmat xixëllonjës të atij shehri, ernaplotë. Mbaj mend se asokohe njerëzia vlonte andejpari, por një bojë sari m’bëhej sikur e pllakoste zhurmën e kalamendun të qytetit liqenor. Në tërë atë përsosuni natyrore diçka mungonte. Diçka e sertë o fshihej o zihej, ndën vete!

– Me t’u mbyllur punimet e sebepit që na çoj në Ohër, mblodhëm ngazëllimin e kureshtjen dhe dolëm për t’i kundruar rrugicat e pashkeluna. Për fat, të mirë a të keq, unë as kuptoja e as flisja gjuhën maqedone, ndaj s’po ftillohesha dot kur kolegët ngecën në vend, syhapun e duke mbajtë frymën! Ishin flakë nga faqet dhe limon nga balli! I pyeta, pa ngulur këmbë, se ç’po ndodhte por asnjëri nuk u ndje. – “Lëvizim. Jemi vonë e duhet kalu kufirin pa u errun nata!” – kaq tha dikush dhe ne tjerët e ndjekëm nga mbrapa. Ndën dhëmbë, me zemër t’sosur, një zë më pëshpërit, ngadalë: pyete se ç’ndodhi? Asgjë. Ose ndoshta, çdo gjë. Pranë liqenit, në një kosh plehrash, shkruhej: The only good Albanian is a dead Albanian! Besoj, më kupton?

Unë, asokohe mendoja se lufta kishte mbaruar. Shpresoja që edhe afro-amerikanët nuk vuanin më si dikur. Uroja që Ohri të ishte vërtetë aq mistik sa ç’dukej dhe Maqedonia të kishte ruajtur me fanatizëm diçka prej trashëgimisë së moçme! Por, mbi të gjitha, dukej sheshit se nuk e kisha kuptuar kurrë se shqiptarët në Maqedoni jetonin … jetonin … jetonin ndoshta si ne dikur, mes therrash duke u tkurr! Po, ashtu disi. Ose edhe më keq.

Jasir Asani & Taulant Seferi & Nedim Bajrami!
20. Nëntor. 2023; 15:24

Në një kafene buzë Lanës, lumit që kundërmon në të shumtën e herave, jehojnë prej zemrës më të bukurat këngë shqipe. Ngado, djem të rinjë me krahrorin e gjanë që i thërrasin Shqipërisë; – ji e jona oj’ Nanë! E shëtis imagjinatën ndën shekuj e vegime. Këta nuk janë tregtar flamujsh si ata n’konak te Ernest Koliqi. Nuk janë, sepse u lexohet ndën germa dashuria për shqipen. Flasin butë. Pa teklif. U ndrijnë sytë për Kombëtaren! Janë gati me u dhënë krahë futbollistëve në ndeshjen kualifikuese Shqipëri – Ishujt Faroe. Jasir Asani & Taulant Seferi & Nedim Bajrami! – Tirana ka fat! Djemtë shqiptarë nga Maqedonia (e Veriut) kanë lënë Europën për t’u kthyer tek Shqipëria. Ah, sa fat!
Këngët nuk kanë të sosur. Sheherlinjtë e rëndë të kryeqytetit kaotik kthejnë kryet herë mbas here shpërfillshëm e si pa nge. E di, për shumë sosh, këto janë “cikërrima” të daluna boje. Nuk mbahet vendi me futboll e nacionalizëm. (edhe kanë të drejtë.) Bota ecën me hapa të pamatë. Inteligjenca artificiale nuk njeh cak e kufi. Koha nuk ndalon për asnji. Shqiptarët akoma shtrëngohen me u mbajtë me rapsodi. Ndoshta diçka nuk shkon! Ndoshta diçka mungon.

Nga larg, dikush tha: – Gola të bukura ato të maqedonëve!
Maqedonëve? – i kthehem tërë maraz.
Po pra, maqedonëve! Ouch! Ju kosovarët! – më gjegjet me qesëndi.

Pra, e nxorri bishtin hileja.
E këqyri. E shoh sërish. Me grykën e tharë prej ngushtësisë së Fjalës mbledhë buzët e gatitem me i thanë diçka.

Po kujt me i fol ama …?!

Këndej thuaja çdo gjë është mbuluar me tisin e dëshpërimit dhe velin e veturrejtjes. Këtu fjalët lidhen bukur, por nuk dalin nga zemra! Zemrat janë përhanshëm.
Fjalët, këtu janë plumba.

Sa pak dijnë shqiptarët! Në sheher të fundit, në katund të parët!

Fjala si Dryni i Burgut të Përjetshëm

Të flasësh do të thotë të nxjerrësh zbuluar, lakuriq fare, atë lëmshin e paftilluar që rrotullohet okolla krahërorit të ngjyem me mendime fluturake. E folura, doemos një dhunti hyjnore për njeriun e përkohshëm, mbetet nishan që dëfton madhërimin e Frymës së Njeriut në raport më çdo krijesë që gjallëron mbi Tokë. Fjala, herë si pelim e herë si Melhem është kalemi që kurrë nuk i soset boja! Përmes saj, Njeriu shpupurish rrënjët e së Vërtetës dhe açikon vetën nga guri.
Shpirti në shpalosjen e Mëvetësisë përmes Fjalës i nxjerrë prej tuneleve të zhubrosura më të Naltat Mendime – si vargonjë të ndryshkur prej harresës e paditunisë. Ndonëse në shikim të parë e gjithë kjo duket si lëvizje e lehtë, në fakt, të vizatuarit e Qenies përmes Fjalës është instrumentalizimi më i zorshëm i të qenurit dhe jetuarit brenda një hapësire dhe kohe, përsosmërisht përcaktuar nga Matanë vullnetit tonë.
Andaj, Kush ka njohur Vetën, pa troshë dyshimi, ka shpëtuar prej hileve të vetës! Po ata që vetën s’kanë njohur, si jetojnë? Natyrisht, si gjithë të tjerët, si shqiptarët që flasin e s’mendojnë. Njeriu, veçmas Njeriu në Ballkan, priret fort të shkundet ngado që fryen era. Vendet e dorës së dytë a botës së tretë shpesh janë të pamëshirshme me Shpirtin e Butë. Aty, mbijetesa dhe pakuptueshmëria, ndeshën papushim.
Këto vende janë si copëza historie të shkruara keq prej pazareve të elitave dhe ku të qenurit normal nuk përbën normë sociale, sepse përmes Fjalës njeriu ka mësuar të mos jetë më as njeri dhe të dorëzohët pa furtunë e stuhi.

po NE si flasim?

Ne flasim’ duke mosfolur. Flasim përmes gjuhës së zgjatuar të injorancës dhe mediokritetit. Ne flasim përmes emocioneve të pafiltruara dhe komplekseve të shtresëzuara. Ne, shpërqëndrueshëm, pranojmë të krijojmë/ndërtojmë probleme përmes së cilave përditë e më shumë e bindim veten se nuk jemi të denjë për t’i zgjidhur ato; ndaj, me vullnet lëshojmë copëza autonomie në duart e atyre që na thonë se hallet tona kurrë nuk mbarojnë, ndaj na duhet ndihmë! kohë dhe durim! Meqë ne reflektojmë pak dhe lexojmë hiç, në zemrat tona qysh kur e përcollëm për në amshim dinjitetin dhe lirinë, injektuam frikën, dhunën dhe babëzinë. Kështu, breza të tërë ngjizen, çelin, rriten e fiken duke e shtru terrin e vërbnu dritën.
Ne flasim por nuk folim! Fjala jonë, përveç tjerash, tregon përroin depresiv – ku ngujohemi e shtrëngohemi për të qëmtuar tek-tuk mendime boshe. Fjala, këtyre anëve është si dryni i një burgu që as niset e as bitiset.

Shqiptarët flasin duke mosfolur. Shqiptarët vrasin teksa flasin, pa zemër, duke njollosur veten më turli emër.

• Shqiptarët e Harruar dhe Fjala si Mallkim

Derti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë një dhimbje që kullon gjerë në asht. Ata, të trandur mes politikave diskriminuese dhe elitave të korruptuara, mbeten jetim’ ndën hijet gri të një bote pa drejtësi. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe JO maqedonët, siç rëndom i thërrasin në Tiranën e zhveshun prej Fjalëve, janë plagë e harruar prej shqiptarëve të hutuar që as ëndërrojnë më. Tirana, e shushatur prej betonit që po gllabëron qytetin, mbetet e paralizuar nga pamundësia për ta tejkaluar diktaturën e vetes! Tirana, por edhe Prishtina, kanë goxha udhë të gjatë deri në kapërcimin e vetizolimit gjuhësor e mendor. Shqiptarët, larg dijeve dhe reflektimit, do mbeten gjatë peng i mallkimit; të atyre që dhanë gjithë çfarë patën për një copëz Toke; që dashuronin ta thërrisnin Nanë.

 

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë