Kurani i mrekullueshëm (3)

Gary Miller

“A nuk e konsiderojnë ata Kuranin? Nëse do të kishte qenë nga tjetërkush përveç Allahut, ata me siguri që aty do të kishin gjetur shumë mospërputhje.” (En-Nisa, 82)

Ashtu siç e kemi përmendur tashmë, Kurani përmban shumë informacione, i cilinuk mund t’i atribuohet kujt tjetër veç Allahut. Për shembull, kush i tha Muhamedit për murin e Dhul Karnejnit, – një vend me qindra kilometra në veri? Kush i tregoi atij për embriologjinë?
Kur njerëzit mbledhin fakte të tilla si këto, nëse ata nuk dëshirojnë t’ia atribuojnë ekzistencën e tyre një burimi hyjnor, ata menjëherë ia ngjisin automatikisht supozimin se dikush ia ka dhënë informacionin Muhamedit dhe se ai e përdori atë të marroste njerëzit. Sidoqoftë kjo teori
mund të hidhet poshtë vetëm me një pyetje të thjeshtë: “Nëse Muhamedi do të ishte gënjeshtar, ku e gjeti ai këtë besim? Përse ai u tha disa njerëzve mu në sy atë që të tjerët nuk do ta kishin thënë kaq lehtësisht?” Ky lloj besimi varet krejtësisht mbi bindjen se ti ke me të vërtetë shpalljen hyjnore. Për shembull, Profeti Muhamed kishte një xhaxha që quhej Ebu Leheb. Ky njeri e urrente aq shumë Islamin, saqë ai e ndiqte Profetin a.s. gjithandej për ta diskredituar atë. Nëse Ebu Lehebi e shihte Profetin të fliste me një të huaj, ai do të priste sa Muhamedi të largohej dhe më pas do t’i shkonte të huajit dhe do ta pyeste: “Çfarë të tha ai? A të tha: E bardhë? E po është e zezë. A të tha: Mëngjes? E po është natë.” Ai thoshte krejtësisht të kundërtën të asaj çka thoshte Muhamedi a.s. dhe asaj që thonë myslimanët. Sidoqoftë rreth 10 vjet përpara se të vdiste Ebu Lehebi, një kaptinë shumë e shkurtër iu shpall Muhamedit. Ajo në mënyrë të qartë shpall se Ebu Lehebi do të shkojë në zjarr (ferr). Me fjalë të tjera aty shpallet se ai nuk do të bëhet kurrë mysliman dhe prandaj ai do të dënohet përgjithmonë. Për 10 vjet rresht Ebu Lehebi pati mundësinë të thoshte: “Unë kam dëgjuar, se i është shpallur Muhamedit që unë nuk do të ndryshoj kurrë, që unë nuk do të bëhem kurrë mysliman dhe do të hyj në zjarrin e Xhehenemit. Epo unë do të bëhem mysliman tashti. Si do t’ju duket kjo? Çfarë keni për të thënë për Shpalljen Hyjnore tashti?” Por ai nuk e bëri kurrë atë dhe kjo është saktësisht ajo lloj sjellje që dikush pret prej atij që e kundërshton Islamin. Në thelb Muhamedi a.s. thotë: “Ti më urren mua dhe kërkon të më zhdukësh mua? Ja, thuaji ato fjalë dhe unë jam i mbaruar. Jepi pra, thuaji!” Por Ebu Lehebi kurrë nuk i tha ato fjalë. Dhjetë vjet! Dhe gjatë gjithë kësaj kohe ai kurrë nuk e pranoi Islamin, apo edhe sikur të tregonte simpati për kauzën e Islamit. Si mund ta dinte Muhamedi me siguri, që Ebu Lehebi do të përmbushte profecitë kuranore, nëse ai nuk do të ishte me të vërtetë i Dërguari i Allahut? Si mund të ishte ai kaq i sigurt, sa t’i jepte dikujt dhjetë vjet për ta diskredituar
pretendimin e tij të profecisë? Përgjigja e vetme që mund të jepet është se ai ishte i Dërguari i Allahut; me qëllim që dikush të jetë i sigurt në sfidën e tij, ai duhet të jetë krejtësisht i bindur që ka në dispozicion Shpalljen Hyjnore.
Një shembull tjetër i besimit të Muhamedit a.s., që kishte në profecinë e tij dhe për pasojë edhe në mbrojtjen hyjnore për atë vetë dhe mesazhin e tij është kur ai u largua nga Meka dhe u fsheh në një shpellë me Ebu Bekrin gjatë shpërnguljes së tyre për në Medine. Që të dy panë me sytë e tyre se si po kërkonin t’i vrisnin ata dhe Ebu Bekri u frikësua. Natyrisht që nëse Muhamedi a.s. do të ishte gënjeshtar, një falsifikues dhe dikush që përpiqet t’i marrosë njerëzit që ta besojnë atë si profet, nga një njeri i tillë pritet që në rrethana të tilla t’i thotë shokut të vet: “Shih Ebu Bekër, se mos na nxjerr nga kjo shpellë!” ose “Vendosu në atë qoshe dhe mos u ndjej më!” Ndërsa në fakt ajo që ai i tha Ebu Bekrit tregon qartë besimin e tij. Ai i tha atij: “Qetësohu! Allahu është me ne dhe Allahu do të na shpëtojë ne!”
Tashti, nëse ndokush e di që po e marros popullin, ku e gjen ai atë lloj qëndrimi? Kjo lloj mendje nuk është karakteristike për një gënjeshtar, apo për një falsifikues. Kështu siç edhe e kemi përmendur më sipër, jomyslimanët i shkojnë rreth e përqark një rrethi vicioz, duke kërkuar një rrugëdalje, ndonjë mënyrë për të shpjeguar zbulimet në Kuran pa ia atribuuar ato vetë burimit të tyre. Nga njëra anë ata ju thonë juve të hënën, të mërkurën dhe të premten: “Ai burrë është gënjeshtar!”, nga ana tjetër të martën, të enjten dhe të shtunën ata të thonë: “Ai është i marrë!”. Ajo që ata nuk pranojnë është se dikush nuk mund t’i ketë të dyja; tashmë refuzimi i tyre se dikush nuk mund t’i ketë të dyja këto cilësi; gjithashtu ata kanë nevojë për këto dy shfajësime që të shpjegojnë informacionet që gjenden në Kuran.
Rreth shtatë vjet më parë, unë kisha për vizitë në shtëpinë time një pastor protestant. Në dhomën ku ne po qëndronim kishte një Kuran mbi tavolinë, i përmbysur, kështu që pastori nuk e dinte se çfarë libri ishte. Në mes të diskutimit unë tregova Kuranin dhe thashë: “Unë besoj tek ai libër.” Duke parë nga Kurani, por pa e ditur se cili ishte ai libër, ai u përgjigj: “Epo, jua them unë, nëse ai libër nuk është Bibla, ai është shkruar nga një njeri.” Në përgjigje të kësaj deklarate unë i thashë: “Më le të të them se çfarë ka në atë libër!” dhe vetëm në tre apo katër minuta unë i rrëfeva atij për pak gjëra që gjenden në Kuran. Pas atyre tre a katër minutave, ai ndërroi krejtësisht pozicion dhe deklaroi: “Ti ke të drejtë. Një njeri nuk mund ta ketë shkruar atë. Djalli e shkroi atë!” Në të vërtetë është për të ardhur keq për këtë lloj qëndrimi për shumë arsye. Veçanërisht për një gjë, ishte një justifikim i shpejtë dhe i varfër. Është një rrugëdalje e menjëhershme nga një gjendje e parehatshme. Faktikisht në Bibël gjendet një histori shumë e famshme që na tregon se si një ditë disa jehudi qenë dëshmitarë kur Jezusi ringjalli nga vdekja një burrë. Ky burrë kishte katër ditë që kishte vdekur dhe kur shkoi tek ai Jezusi, ai i tha thjesht: “Ngrihu!” dhe burri u ngrit e iku. Nga kjo skenë disa jehudi që po e ndiqnin me mosbesim thanë: “Ky është djalli. Ai që po e ndihmon është djalli.” Tashti kjo histori përsëritet shpesh në të gjitha kishat e botës dhe njerëzit derdhin lot kur e dëgjojnë dhe thonë: “Ah sikur të kisha qenë unë atje, unë nuk do të isha treguar budalla sa jehuditë!” Çfarë ironie, këta njerëz bëjnë pikërisht atë që bënë jehuditë, kur ti në tre apo katër minuta ju tregon vetëm një pjesë të vogël të Kuranit dhe kur ti e bën ata thonë: “Ah, djalli e ka bërë këtë! Djalli e ka shkruar atë libër!”, sepse ata janë rrasur në një qoshe dhe nuk gjejnë rrugë shpëtimi për t’u përgjigjur, e kështu ata gjejnë strehim në përgjigje të pamenduara dhe të varfra. Një shembull tjetër i qëndrimeve të dobëta të njerëzve mund ta gjesh te shpjegimet e mekasve për burimet e mesazhit të Muhamedit. Ata thoshin vazhdimisht: “Djalli ia solli Muhamedit atë Kuran!”, por për çdolloj sugjerimi të bërë Kurani jep përgjigjen. Një ajet veçanërisht shpall: “Dhe ata thonë: Sigurisht që ai është i mbizotëruar nga xhinët, por ai (Kurani) është një përkujtues për botën.”
Kështu na jepet një argument për teori të tilla. Në fakt ka shumë përgjigje të tilla në Kuran në përgjigje të këtyre sugjerimeve, që djalli ia solli Muhamedit mesazhin e tij: “Askush nga shejtanët e zbriti atë (Shpalljen). Ajo nuk u shkon për shtat atyre, as nuk janë të aftë për të. Në të vërtetë ata janë shumë larg bindjes.” (Esh Shuara, 210-212).
Dhe në një vend tjetër në Kuran Allahu na udhëzon ne: “Kështu që
kur të lexoni Kuranin kërkoni mbrojtjen e Allahut nga shejtani i përbuzur.” (En-Nahl, 98).
Atëherë a mund të më thoni, se kështu e shkruan djalli – shejtani librin? A mund t’i thotë ai ndonjërit nga ju: “Përpara se të lexoni librin tim kërkojini Zotit t’ju ruajë prej meje?…” Ky është me të vërtetë një veprim shumë dredharak. Me të vërtetë që dikush mund ta shkruante një gjë të tillë, por a do ta bënte një gjë të tillë shejtani? Shumë njerëz na thonë se ata nuk mund të dalin në një përfundim për këtë temë. Nga njëra anë ata thonë se shejtani nuk mund ta ketë bërë këtë gjë, edhe sikur ta kishte pasur mundësinë ta bënte, Zoti nuk do ta lejonte ta bënte një gjë të tillë; dhe nga ana tjetër ata gjithashtu besojnë se shejtani është diçka më pak se Zoti. Në thelb ata pohojnë, se ndoshta shejtani mund të bëjë atë që e bën edhe Zoti. Dhe si rezultat kur e marrin Kuranin, edhe pse mbeten të befasuar ngaqë ai është i mrekullueshëm, ata vazhdojnë të këmbëngulin: “Djalli e ka bërë këtë!” Falënderimet e posaçme i takojnë vetëm Allahut, myslimanët janë larg këtij qëndrimi. Megjithëse shejtani ka aftësitë e veta, ato janë jashtëzakonisht larg dhe ndryshe nga ato të Allahut të Lartësuar. Dhe asnjë mysliman nuk mund të jetë mysliman, nëse nuk beson kështu. Është diçka shumë e njohur edhe ndërmjet jomyslimanëve, se djalli shumë lehtësisht është i gabueshëm dhe nga ai pritet që ta kundërshtojë vetveten, nëse ai do të shkruante një libër.
Me të vërtetë që në Kuran shpallet: “A nuk e konsiderojnë ata Kuranin? Nëse do të kishte qenë nga tjetërkush përveç Allahut, ata me siguri që aty do të kishin gjetur shumë mospërputhje.” (En-Nisa, 82).
Në lidhje me justifikimet që jomyslimanët nxjerrin në përpjekjet e kota për t’u justifikuar me ajetet e pashpjegueshme në Kuran është një sulm tjetër i tyre që bëhet duke i kombinuar që të dyja teoritë, se Muhamedi a.s. ishte i marrë dhe gënjeshtar. Në themel, këta njerëz propozojnë se Muhamedi ishte i papërgjegjshëm dhe si rezultat i zhgënjimit që pësoi ai gënjeu dhe i mashtroi njerëzit. Në psikologji ky lloj fenomeni emërtohet ndryshe dhe atij i referohet si mitomani. Me këtë nënkuptohet thjesht, se dikush thotë gënjeshtra dhe pastaj i beson ato vetë. Kjo është ajo gjë prej së cilës vuajti Muhamedi a.s., thonë jomyslimanët. Por, i vetmi problem që shkakton ky propozim është se ai që vuan nga mitomania absolutisht nuk është në gjendje të merret me faktet reale, ndërsa Kurani i gjithi është i ndërtuar krejtësisht mbi fakte të vërteta. Çdo gjë që ai përmban mundet që ta hulumtosh dhe ka për të dalë e vërtetë. Meqë faktet reale janë një problem për mitomanin, kur një psikolog përpiqet ta trajtojë atë që është në këtë gjendje, ai vazhdimisht e ballafaqon atë me faktet. P.sh., nëse ndonjëri është i sëmurë mendërisht dhe pretendon se: “Unë jam mbreti i Anglisë!”, një psikolog i vërtetë nuk i thotë atij: “Jo, ti nuk je. Ti je i marrë.” Ai thjesht nuk e bën një gjë të tillë. Më mirë ai e ballafaqon atë me faktet duke i thënë: “Në rregull, ti thua se je mbreti i Anglisë. Atëherë më thuaj ku e ke mbretëreshën sot? Ku e ke kryeministrin? Ku i ke rojet e tua?” Kur ky burrë përpiqet me vështirësi t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve, ai përpiqet të gjejë si fjala vjen: “Hëm,… mbretëresha,. .. ajo ka shkuar te nëna e vet. Hëm,… kryeministri, … ai ka vdekur.” Mundësisht ai ka për t’u kuruar për mungesën e aftësisë së pranimit të fakteve reale. Nëse psikologu vazhdon ta ballafaqojë atë me fakte të mjaftueshme më në fund ai do ta shohë realitetin dhe do të thotë: “Them se nuk jam mbreti i Anglisë!”
Qasja e Kuranit ndaj kujtdo që e lexon atë në pjesën më të madhe është e njëjta mënyrë, se si e trajton një psikolog pacientin e vet mitoman. Në Kuran gjendet një ajet, i cili shpall: “O ju njerëz, ju ka ardhur juve një paralajmërim (Kurani) nga Zoti juaj dhe një shërim për atë që keni në zemër, dhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.” (Junus, 57).
Në një shikim të parë kjo shpallje duket e mjegullt, por kuptimi i këtij ajeti është i qartë, kur dikush e shikon nën dritën e shembullit të sipërpërmendur. Në thelb kjo do të thotë se dikush shërohet nga deziluzionet e tij kur lexon Kuranin, pra, një terapi për atë që e lexon. Ai, fjalë për fjalë i kuron njerëzit nga deziluzioni, duke i ballafaquar ata me faktet reale.
Një qëndrim mbizotërues përgjatë të gjithë Kuranit është ai ku thotë: “O ju njerëz, ju thoni kështu e ashtu për këtë gjë, por çfarë për kështu e ashtu; si mund të thoni kështu ju, kur ju e dini?” e kështu vazhdon. Ai e detyron lexuesin të konsiderojë se cila është e përshtatshme dhe kush ka vlerë, ndërsa në të njëjtën kohë shëron njërin nga deziluzionet, që faktet e paraqitura nga Allahu njerëzimit mund t’i shpjegohen lehtësisht me teori bindëse dhe justifikime. Është pikërisht kjo gjë – ballafaqimi i njerëzve me faktet – që ka tërhequr vëmendjen e shumë jomyslimanëve. Në fakt kemi edhe një referencë shumë interesante për këtë subjekt në “Enciklopedinë e Re Katolike”.
Nën zërin e titulluar Kuran, Kisha Katolike shpall: “Gjatë shekujve, shumë teori na janë ofruar si origjina e Kuranit… Sot asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të pranonte ndonjë nga këto teori.” Ja, ku kemi këtu Kishën e vjetër Katolike, e cila është përpjekur kaq shekuj të mohojë këto përpjekje të kota për të interpretuar Kuranin. Me të vërtetë që Kurani është një problem për Kishën Katolike. Ai deklaron se është Shpallje Hyjnore, prandaj ju duhet ta studioni atë. Natyrisht që ata do të kërkonin të gjenin prova për jo, por ata nuk mund të gjejnë. Ata nuk mund të gjejnë një shpjegim të përshtatshëm, por të paktën janë të ndershëm në kërkimet e tyre dhe ata nuk e pranojnë interpretimin e parë të pathemeltë që iu ofrohet. Natyrisht njerëzit e tjerë janë shumë më pak të ndershëm. Ata menjëherë të thonë: “Oh, Kurani vjen prej këndej; apo Kurani vjen andej!” dhe kështu ata nuk e shqyrtojnë vërtetësinë e asaj që thonë në pjesën më të madhe të kohës. Së fundmi një njeri i kishës me emrin Hans dhe ai dha mendimin e tij për atë që kishte lexuar. Ky njeri kishte qenë rreth botës lart e poshtë dhe gëzonte edhe respekt të madh në Kishën Katolike. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm ai raportoi për gjetjet e tij duke konkluduar: “Zoti i ka folur një njeriu nëpërmjet një njeriu, Muhamedit!” Përsëri ky është një konkluzion i arritur nga një burim jomysliman, nga një intelektual i krishterë.
Ashtu siç na u bë e qartë nga informacionet e sipërpërmendura, të gjitha mundësitë e mundshme u shteruan, prandaj shansi për të gjetur një mundësi tjetër për ta nxjerrë nga loja Kuranin është jo-ekzistente. Por nëse nuk do të ishte shpallje, atëherë do të ishte një mashtrim; dhe nëse do të ishte një mashtrim, atëherë me të drejtë dikush do të pyeste: “Cila është origjina e tij?” dhe “Ku na mashtron ai neve?” në fakt përgjigjet e sakta të këtyre pyetjeve hedhin dritë në autenticitetin e Kuranit dhe i bëjnë të heshtin pretendimet e pathemelta të hidhura të jobesimtarëve. Natyrisht që nëse ka njerëz që vazhdojnë të këmbëngulin se Kurani nuk është i vërtetë, atëherë ata duhet të sjellin fakte për ta mbështetur këtë pretendim. Barra e provave mbetet mbi ta e jo mbi ne. Nuk mund të supozojmë që dikush të paraqesë një teori pa pasur fakte të mjaftueshme, kështu që ne i themi këtyre njerëzve: “Na tregoni një të pavërtetë! Na tregoni se ku gënjen Kurani! Na tregoni, përndryshe mos thoni se ai ka të pavërteta!”
Një karakteristikë interesante e Kuranit është se si ai merret me fenomenet befasuese, të cilat lidhen jo vetëm me të shkuarën, por po aq edhe me të tashmen. Në thelb Kurani nuk është një problem i vjetër. Ai mbetet një problem edhe sot e kësaj dite, një problem për të gjithë jomyslimanët. Për çdo ditë, për çdo javë, për çdo vit, ai sjell përherë e më tepër fakte, që Kurani është një forcë me të cilën nuk hahesh dot, se autenticiteti i tij nuk mund të sfidohet më. Për shembull, një ajet në Kuran thotë: “A nuk e dinë jobesimtarët se qiejt dhe toka ishin të bashkuara, pastaj ne i ndamë veçmas dhe Ne i bëmë prej uji të gjitha gjallesat? A nuk besojnë më pas ata?” (El-Enbija, 30).
Çfarë ironie, për këtë informacion të saktë ata shpërblyen me çmimin Nobel në vitin 1973 një dyshe jobesimtarësh. Kurani na zbulon origjinën e universit, se si ai nisi nga një copëz, dhe njerëzit vazhdojnë të verifikojnë këtë zbulim edhe tashti. Veç kësaj fakti se e gjithë jeta e ka origjinën nga uji nuk ka qenë një gjë e lehtë për t’i bindur njerëzit e 14 shekujve më parë. Sigurisht që nëse ju do të qëndronit në mes të shkretëtirës 1400 vjet më parë dhe t’i thoshit dikujt: “E gjitha kjo (dhe të tregoje nga vetja) në pjesën më të madhe është e përbërë nga uji.”, askush nuk do t’ju besonte. Kjo gjë u provua pasi u shpik mikroskopi. Atyre iu desh të prisnin derisa të zbulonin se citoplazma, substanca themelore e qelizës është e përbërë nga 80% ujë. Megjithëse ky fakt doli në dritë, edhe një herë Kurani i bëri ballë testit të kohës. Në lidhje me testet e falsifikimit që i përmendëm më sipër është me të vërtetë interesante që të vërejmë se edhe ato gjithashtu i referohen të shkuarës dhe të ardhmes. Disa prej tyre janë përdorur për të ilustruar plotfuqishmërinë dhe dijen e Allahut, ndërsa disa të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë si sfida edhe sot e kësaj dite. Një shembull i gjallë i kësaj është shpallja që i bëhet në Kuran Ebu Lehebit. Aty na ilustrohet qartësisht, se Allahu njohësi i së padukshmes, e dinte se Ebu Lehebi nuk do të ndërronte mendje dhe të pranonte Islamin. Kështu Allahu e kishte vendosur, që ai do të qëndronte i dënuar përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit. Një sure e tillë tregon kthjelltësish, edhe për urtësinë hyjnore të Allahut të Madhëruar, edhe njëkohësisht është një paralajmërim i vazhdueshëm për ata që janë si Ebu Lehebi.
Një shembull tjetër interesant i këtij tipi testi falsifikimi që gjendet në Kuran është ajeti, ku përmenden marrëdhëniet ndërmjet myslimanëve dhe jehudive. Ajeti është i kujdesshëm të mos e kufizojë qëllimin e tij në marrëdhëniet individuale të anëtarëve të secilës fe, por më tepër ai përmbledh marrëdhëniet ndërmjet dy grupeve të njerëzve në total. Në thelb Kurani shpall se të krishterët do t’i trajtojnë gjithnjë më mirë myslimanët, se sa do t’i trajtonin jehuditë, myslimanët. Në fakt, efekti i plotë i kësaj deklarate mund të ndjehet pasi të merret me kujdes në konsideratë kuptimi real i këtij ajeti. Është e vërtetë që shumë të krishterë dhe shumë jehudi janë bërë myslimanë, por në total komuniteti jehudi duhet parë si një armik i ashpër i Islamit. Veç kësaj shumë pak njerëz e dinë, se për çfarë të fton një deklaratë e tillë në Kuran. Në thelb ai është një shans shumë i kollajshëm për jehuditë që ata të provojnë se Kurani është fals dhe që nuk është shpallje hyjnore. E gjithë ajo çka duhet të bëjnë ata është të organizojnë vetveten, t’i trajtojnë myslimanët mirë për pak vjet dhe pastaj të thonë: “Tashti ç‘mund të na thotë libri juaj i shenjtë, se kush janë miqtë tuaj më të mirë: jehuditë apo të krishterët? Shikoni se çfarë kemi bërë ne jehuditë për ju!” Kjo është ajo çka duhet të bëjnë për të përgënjeshtruar autenticitetin e Kuranit, por ato edhe pas 1400 vjetësh nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Por si gjithmonë oferta vazhdon të mbetet e hapur!
Të gjithë shembujt e dhënë deri tani që kanë të bëjnë me këndet e ndryshme që dikush i qaset Kuranit pa dyshim kanë qenë të natyrës subjektive; megjithatë ekziston një kënd tjetër ndërmjet të tjerash, i cili është objektiv dhe baza e tij është në matematikë…

Nga: Gary Miller
Përkthyen: Eni Tahiri dhe Roald A. Hysa.

/islamgjakova