Ballina Artikuj Kurani nuk përdor domosdoshmërisht fjalorin tonë, por flet për realitetin tonë

Kurani nuk përdor domosdoshmërisht fjalorin tonë, por flet për realitetin tonë

Hoxhë Halil Avdulli

Kurani flet për idetë, jo domosdoshmërisht me terminologjinë moderne

Shpesh dëgjon dikë të thotë: “Kurani nuk ka folur për këto ide bashkëkohore.” Por problemi qëndron te mënyra si kërkojmë. Disa presin që Kurani të përdorë të njëjtat terma që përdorim ne sot, dhe vetëm atëherë pranojnë se ai ka trajtuar një çështje.
Kjo është një qasje e gabuar.

Kurani nuk është i detyruar të përdorë terminologjinë moderne për të shprehur ide që janë të përjetshme. Por me gjuhën dhe konceptet e veta.

Për shembull fjala “diktator” ose “autokrat”. Dikush mund të kërkojë këtë term në Kuran dhe, duke mos e gjetur, të mendojë se Kurani nuk e trajton fenomenin e despotizmit politik. Në të vërtetë, Kurani përdor një term tjetër që bart të njëjtin kuptim: “xhebbar” (جبار).

Kurani thotë:

“Aty gjenden njerëz tiranë (xhebbarinë).” (El-Maide: 22)

dhe:

“Ti nuk je mbi ta një detyrues (xhebbar).” (Kaf: 45)

Fjala xhebbar përshkruan atë që i detyron njerëzit me forcë t’i binden vullnetit të tij. Ky është, në thelb, kuptimi i diktatorit apo autokratit.

Prandaj, mungesa e një termi bashkëkohor në Kuran nuk do të thotë mungesë e idesë. Nëse presim që Kurani të përdorë fjalorin e shekullit XXI, do të humbasim shumë prej thesareve të tij.
Ai përmban njohuri politike, ekonomike, shoqërore, edukative, psikologjike, administrative dhe morale, por i shpreh ato me gjuhën dhe konceptet e veta.

Kjo është një rregull themelor për këdo që dëshiron të zbulojë urtësinë e Kuranit: mos kërko vetëm fjalët, por kërko idetë dhe konceptet që ato shprehin.

Hoxhë Halil Avdulli