Kurti: I kuptojmë shqetësimet e partnerëve, çdo opsion tjetër do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura të premten në veri, ku qytetarët serbë bllokuan hyrjet e objekteve komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, për të mos lejuar kryetarët e zgjedhur të hyjnë në këto objekte.

Kryeministri përmes një reagimi që ka bërë të shtunën në Facebook, ka thënë se shkuarja e kryetarëve në vendet e punës do të ishte gjëja më normale, ku objekti i komunës është vendi ku qytetarëve u jepen shërbime në bazë të ligjit e kushtetutës

“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, ka shkruar Kurti, përcjell teve1.info

Policia e Kosovës largoi qytetarët serbë dhe barrikadat që ishin vendosur para këtyre objekteve për t’u mundësuar kryetarëve të hyjnë në objektet komunale.

Por, këto veprime u kritikuan nga BE, SHBA e vendet e QUINT-it dhe KFOR-i që i cilësuan të “dhunshme”.

Kurti ka thënë se i kupton shqetësimet e tyre, por mos veprimi sipas tij do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë. Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka falënderuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për “qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”.

Pas protestës së qytetarëve serbë 5 pjesëtarë të PK-së janë lënduar si dhe është dëmtuar një veturë./