Kurti në Mbretërinë e Bashkuar, merr pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, mori pjesë mbrëmë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”.

Sipas komunikatës për medie, në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona. Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas komunikatës, diaspora e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar.
“Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, u shpreh kryeministri Kurti.