Kurti në Tiranë: Si dy kryeministra shqiptarë, vendet tona do të kenë bashkëpunimin që s’e patën kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e parë të tij jashtë shtetit në Tiranë tha se ndjehet i gëzuar dhe falënderues nga mikpritja e shtetit amë, njofton Klan Kosova.

“Edhe një orë bëhet një javë që jam në postin e kryeministrit. Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë ishte Mitrovica dhe natyrisht shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria. Ju falënderoj edhe për mikpritjen e përzemërt dhe bisedën shumë konstruktive”.

“Dua që në dekadën e tretë të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri që s’ka qenë asnjëherë mes vendeve tona. Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrës”.

Kurti foli edhe për vendimet që do t’i ndërmarrin në të ardhmen.

“U dakorduam që të formojmë një Komision Ndërshtetëror i përbërë nga ministra dhe deputetë. Ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri tani të zbatohen dhe të shtohen. Duhet shtuar bashkërendimin duke e thelluar dhe zgjeruar atë”.

“Duhet të ecim bashkë, shpejt dhe fuqishëm. Duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, të prodhimarisë, arsimit, të sigurisë dhe të politikës së jashtme. Këto janë fusha që i kemi preokupimet e njëjta dhe gjithashtu edhe partnerët dhe aleatët tonë demokratikë dhe perëndimorë”.

Kurti edhe si kryeministër iu falënderua Shqipërisë për rolin dhe ndihmën ndaj Kosovës gjatë luftës së fundit duke i kërkuar që edhe në paqe t’ia jep  të njëjtën ndihmë.

“Kosova nuk do t’ia dilte pa Shqipërinë në luftë me Serbinë, por pa Shqipërinë nuk ia del as në paqe”, njofton Klan Kosova.