Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka qenë konstruktiv dhe i zhvilluar në një atmosferë të vullnetit për krijimin e institucioneve të reja.
Pas përfundimit të takimit, Kurti tha se nuk është arritur ndonjë rezultat konkret, por vlerësoi gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike.
“Me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve, meqenëse është edhe numri i dytë me numër të deputetëve pas Lëvizjes Vetëvendosje. E falënderoj kryetarin Hamza për këtë takim, i cili ishte konstruktiv dhe kaloi në atmosferë të vullnetit e interesimit për t’i dhënë institucione të reja Kosovës, në përputhje me vullnetin e popullit”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se aktualisht nuk ka ndonjë marrëveshje që mund të prezantohet para publikut.
“Për momentin nuk mund të themi se kemi një rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaj me publikun”, u shpreh kryetari i Vetëvendosjes.
Kurti kërkoi që fryma konstruktive e takimeve të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim që institucionet e reja të konstituohen brenda afateve kushtetuese.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe që, në përputhje me afatet kushtetuese, t’i konstituojmë institucionet. Për bindjen time, vullneti është aty dhe atmosfera konstruktive duhet të vazhdojë të mbizotërojë”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e formimit të institucioneve, Kurti përmendi numrat e deputetëve të tri subjekteve kryesore politike.
“Si tri subjekte të mëdha, që së bashku kanë 93 deputetë – 53 nga Vetëvendosje, 22 nga PDK-ja dhe 18 nga LDK-ja – kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti.
Kryetari i VV-së bëri të ditur se gjatë ditës do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke shprehur pritjen që edhe ky takim të zhvillohet në të njëjtën frymë.
Ndërkohë, Kurti foli edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se përgjegjësia për këtë proces u takon të gjitha subjekteve politike.
“Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit të gjithë kemi përgjegjësi. Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikë të asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit”, tha Kurti.
Ai gjithashtu kritikoi kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, për refuzimin e ftesës për takim, duke theksuar se procesi i konsultimeve duhet të vazhdojë me frymë bashkëpunimi.







