Kurti: Qeveria e re do të krijojë mundësi për të pasur drejtësi për Astritin

Vetëvendosje ka organizuar aksion për dhurim vullnetar të gjakut, në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të saj, Astrit Dehari, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se Dehari ka qenë një student i mjekësisë, por edhe punëtor i drejtorisë komunale në Prishtinë dhe ka ndihmuar shumë pacientë.

Andaj, këtë akt tha se po e bëjnë si shenj solidariteti me të ndjerin.

“Pra saj sot me rastin e 3 vjetorit të mbytjes së tij në burg ne shprehim solidaritetin tonë me ata që kanë nevojë për gjak, dhe në këtë ditë organizojmë këtë aktivitet për dhënien vullnetare të gjakut në kujtim të shokut tonë të aktivistit tonë punëtorit shëndetësorë të kryeqytetit Astrit Deharit”.

“Duke pasur parasysh të gjeturat të raportit të institutit të Llozanës për mjekësi ligjore por duke pasur parasysh edhe të gjeturat e mëhershme që janë bërë dhe me qeverinë e re me siguri që do të hiqet trysnia e ekzekutivit mbi prokurorinë e Kosovës posaçërisht atë speciale dhe do të mund të fillojë një hetim i ri profesional dhe i pavarur në mënyrë që të trajtohet kjo çështje. Jo vetëm të trajtohen provat materiale por edhe rrethanat faktike si dhe procesi i deritanishëm i cili nganjëherë nuk është zhvilluar mirë për shkak të ndikimit politik e nganjëherë për shkak të neglizhencës përbrenda mekanizmave shtetërorë”.

“Natyrisht që në qeverinë e re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi në vrasjen e Astritit pasi kjo është drejtësi për shtetin tonë për popullin tonë”, tha ai.

Elda Sylejmani, qytetare tha se ky është vetëm një obligim moral për të nderuar Astrit Deharin.

“Si çdo qytetarë i Kosovës pa marrë parasysh pikëpamjeve politike duhet me ardh dhe me krye obligimin qytetarë dhe moral së pari për nder të shpirtit që ka shkua e nuk është më, për Astrit Deharin”, tha ai.

Edhe Musa Hyseni po dhuron gjak për herë të parë. Edhe ky për të njëjtin qëllim.

“Është hera e parë që dhuroj gjak më së shumti ka qenë shkaku i kampanjës së Vetëvendosjes për Astrit Deharin dhe është gjëja më e vogël që mundem me bë sot të cilën kam vendosur dhe e di që i shërben çdo qytetari”, tha ai.

Fadil Seferi tha se pas marshit po e kryen edhe një obligim që e ndjen për Astritin.

“Arsye është shumë e thjeshtë sepse dhurimi i gjakut shpëton jetë. Shfrytëzova rastin që prej marshit për Astritin të vij këtu dhe të dhuroj gjak”, tha ai.

Gjatë ditës, për të nderuar jetën dhe veprën e Astrit Deharit u mbajt edhe një marsh protestues, nga ku u kërkua që të nis një hetim i ri për rastin e vdekjes së tij.