Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke e cilësuar këtë ditë si një moment historik me ndikim të thellë global mbi idetë e lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Në mesazhin e tij, Kurti thekson se Deklarata e Pavarësisë e vitit 1776, e miratuar nga Kongresi Kontinental në Filadelfia, përfaqëson një dokument themelor të mendimit politik modern, i cili shpalli parimet universale të barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.
Ai rikujton se këto parime, të mishëruara në “Frymën e ’76-ës”, kanë ndikuar në rrjedhat historike edhe në Ballkan, duke përfshirë mbështetjen amerikane për çështjen shqiptare pas Luftës së Parë Botërore, si dhe rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në procesin e shtetformimit të Kosovës.
Kurti përmend gjithashtu takimin historik të vitit 1918 mes Fan Nolit dhe presidentit amerikan Woodrow Wilson, si dhe deklaratën e vitit 2007 të presidentit George W. Bush në Tiranë, duke i cilësuar këto momente si dëshmi të vazhdueshme të mbështetjes amerikane për vetëvendosjen e popujve.
Në përmbyllje të mesazhit, Kurti shpreh mirënjohjen dhe uron: “Gëzuar 4 Korrikun dhe përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”





