Kush pos asaj

Iljasa Salihu

Nëntë muaj, gdhihet dhe ngryset me ty. Nëntë muaj, ndanë ushqimin me ty, madje duke e zgjedhur ushqimin më të mirë, jo për shkak të saj, por për shkak teje. Rëndohet për shkak teje, por nuk pendohet assesi, përkundrazi gëzohet.

Çasti i lindjes është një nga betejat më të vështira në jetën e saj.

Duke të ledhatuar mundohet të të qetësojë, njëherësh duke e injoruar dhimbjen e saj.

Pastaj, rehatia apo parehatia e gjumit të saj i nënshtrohet rehatisë apo parehatisë së gjumit tënd.

Të ushqen, luan me ty, të edukon e të pastron.

Herët në mëngjes zgjohet pa përtesë, të ushqen e të përcjellë për në shkollë.

Ti mund të përhumbesh në lojëra e në shaka me shoqërinë, mirëpo ajo e ka mendjen te ti.

Për më tepër, ti rritesh e bëhesh vetë prind, herë të mashtrojnë valët e jetës e herë të kthjellin dallgët e dynjasë, ajo ende merret me “pasojat” e çerdhës tënde të dikurshme.

Ti mund ta kesh harruar vendin ku për herë të parë të pulësoi zemra, mirëpo asaj ende i duhet përballja me ato “pasoja”.

Sërish ajo nuk bëzanë. Ajo nuk ankohet. Nuk i quan këto as pasoja. Mundohet që çdo rënkim ta fshehë duke të thënë se kjo krejt normale është. Nuk të thotë se ende po i vuaj pasojat e ardhjes tënde në këtë botë. Madje, po i the ti, ajo hatërohet.

Kjo është nëna! Ndaj, kur t’ia kryejmë ndonjë shërbim, të mos mburremi e të mos lavdërohemi se mundi i saj krahas përpjekjes sonë, as nuk mund të krahasohet, as nuk mund të vendosen në të njëjtën peshore. Këta jemi ne!

Nga: Iljasa Salihu