Kuvendi i Malit të Zi debaton për rrëzimin e qeverisë

Propozimin për mosbesimin e Qeverisë së Malit të Zi e kanë nënshkruar 32 deputetë të partive DPS, SDP, SD, DUA dhe Partisë Liberale. Për votë mosbesimi, nisma duhet të mbështetet nga 41 deputetë

Në Parlamentin e Malit të Zi ka filluar seanca e jashtëzakonshme ku do të votohet për mosbesim ndaj qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Propozimin për mosbesimin e Qeverisë së Malit të Zi e kanë nënshkruar 32 deputetë të partive DPS, SDP, SD, DUA dhe Partisë Liberale. Për votë mosbesimi, nisma duhet të mbështetet nga 41 deputetë.

Partia Mali i Zi Demokratik tha se klubi i tyre i deputetëve, bazuar në diskutimet në parlament, qëndrimet e të gjithë aktorëve, atmosferën dhe argumentet e përgjithshme, do të marrë vendimin përfundimtar për nismën.

Udhëheqësi i Frontit Demokratik Andrija Mandiq dje deklaroi se kryeministri Dritan Abazoviq duhet të kishte filluar tashmë negociatat për rikonstruimin e qeverisë.

Këshilli i Partisë Boshnjake në seancën e djeshme ka autorizuar kryesinë e partisë që të marrë vendimin përfundimtar si përgjigje ndaj votimit të mosbesimit ndaj qeverisë.

Prava dhe Mali i Zi i Bashkuar njoftuan se do të votojnë mosbesimin ndaj qeverisë, ndërsa lideri i Demos-it, Miodrag Lekiq, ka thënë se partia me shumë mundësi do të abstenojë.

Në sqarimin e nismës, vlerësohet se kanë munguar rezultatet konkrete në realizimin e prioriteteve dhe se gjendja e ekonomisë malazeze dhe gjendja epidemiologjike në vend janë përkeqësuar edhe më shumë.

“Pavarësisht mbështetjes si kurrë më parë të fortë nga partnerët evropianë dhe konsensusit të gjerë socio-politik për domosdoshmërinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, vijimi i mëtejshëm i këtij procesi vihet në pikëpyetje”, thuhet në shpjegim.

Më tej thuhet se Abazoviq, duke injoruar pikëpamjet e institucioneve më të rëndësishme shkencore në vend, ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, duke injoruar me vetëdije pasojat e mundshme të veprimeve të tilla në situatën e përgjithshme në Mal të Zi, në plan të parë e vendosi çështjen e marrëdhënieve me kishën ortodokse serbe.

Abazoviq më herët deklaroi se nëse nuk votohet mosbesimi ndaj qeverisë, ai menjëherë do të fillojë rikonstruimin e saj, në të cilin nuk do të ketë vend për DPS dhe SDP.

Qeverisë së mëparshme, të kryesuar nga Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt iu votua mosbesimi në parlament. /aa