Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e sotme dekretet e presidentit Bajram Begaj për ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, raporton Anadolu.
Ndryshimet që u propozuan disa ditë më parë nga kryeministri dhe kryetari i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Edi Rama, u votuan mes tensioneve dhe debateve, pasi gjatë kohës së votimit deputetët e opozitës bllokuan foltoren.
Albana Koçiu është emëruar në postin e zëvendëskryeministres, duke zëvendësuar Belinda Ballukun e cila u shkarkua nga detyra, përfshirë dhe nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Diplomati Ferit Hoxha është emëruar ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, post i mbajtur deri tani nga Elisa Spiropali.
Në postim e ministrit të Punëve të Brendshme është emëruar Besfort Lamallari, që më parë ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë.
Në postin e ministrit të Drejtësisë është emëruar Toni Gogu dhe Erjona Ismaili është emëruar si ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Enea Karakaçi do të jetë ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjetikës ndërsa Ermal Nufi është emëruar ministër i Mbrojtjes, post që më parë është mbajtur nga Pirro Vengu.
Kuvendi ka miratuar edhe dekretet e shkarkimit për ministrat Balluku, Spiropali dhe Vengu, të cilët nuk do të jenë më pjesë e kabinetit qeveritar. Pas ceremonisë së betimit në Presidencën e Shqipërisë, ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën.
Seanca u përfshi edhe nga debatet dhe tensionet, pasi deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike bllokuan foltoren gjatë votimit të dekreteve të presidentit Begaj, duke mos marrë pjesë në procesin e votimit.
Opozita ka kërkuar vazhdimisht përfshirjen në rendin e seancave plenare të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbi dhënin e autorizimit “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj Ballukut, e cila u pezullua edhe nga gjykata. Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
Në fillim të seancës parlamentare u mbajt një minutë heshtje në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).



