Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ky i “rënë nga fiku” në krye të OKB-së?

Ky i “rënë nga fiku” në krye të OKB-së?

Pakti mes SHBA, Rusisë dhe Kinës, sfidon direkt Evropën

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se Rusia dhe Kina mund të mbështesin ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), duke krijuar mundësinë e një kandidature të përbashkët të tri fuqive të mëdha.

Sipas një artikulli të Antonio O’Mullony, të publikuar në Brussels Signal, ky vlerësim mbështetet në bisedimet e mëparshme ndërmjet Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.

Gazeta amerikane Wall Street Journal e raportoi fillimisht këtë nismë më 25 tetor, duke cituar burime të administratës amerikane.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se synimi është që Orban të paraqitet si kandidat i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Të tria vendet janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gëzojnë të drejtën e vetos. Një marrëveshje ndërmjet tyre do të kishte peshë të konsiderueshme në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit të ardhshëm të organizatës.

Gjatë 16 viteve në pushtet, Orban ruajti marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin, ndërsa pati mosmarrëveshje të vazhdueshme me Bashkimin Evropian për politikat e migracionit, sundimin e ligjit dhe luftën në Ukrainë.

Qeverisja e tij përfundoi në prill të vitit 2026, pas fitores së partisë Tisza, të drejtuar nga Peter Magyar, në zgjedhjet parlamentare hungareze.

Sipas The Wall Street Journal, përpara se të kontaktonin drejtpërdrejt Orbanin, zyrtarët amerikanë kishin diskutuar mundësinë që pasardhësi i Antonio Guterresit të ishte një figurë politike me profil të ngjashëm me ish-kryeministrin hungarez.

Një zyrtar amerikan vlerësoi se Orbán mund të siguronte tetë nga 15 votat e Këshillit të Sigurimit, ndërsa mbështetja mund të arrinte deri në dhjetë vota.

Megjithatë, për të marrë rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, kandidati duhet të sigurojë të paktën nëntë vota dhe të mos përballet me veton e asnjërës prej pesë anëtareve të përhershme.

Kjo do t’i jepte Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar mundësinë për të bllokuar kandidaturën, edhe në rast se Orban do të siguronte mbështetjen e Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.

Franca e ka shprehur publikisht kundërshtimin. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi në tetor se posti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së nuk duhet të shërbejë si shpërblim ngushëllues për një politikan që ka humbur mbështetjen e votuesve të tij.

Edhe kryeministri aktual hungarez, Peter Magyar, e kritikoi mundësinë e kandidimit të paraardhësit të tij, duke deklaruar se një propozim i tillë do të ishte një hap drejt dobësimit të organizatës.

Nga ana tjetër, Rusia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht mbështetjen për Orbanin. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Alimov, deklaroi për agjencinë Interfax më 26 tetor se vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit nuk paraqesin vetë kandidatura dhe se një shtet tjetër duhet të propozojë zyrtarisht ish-kryeministrin hungarez.

Deri më 20 nëntor, asnjë shtet nuk e kishte paraqitur kandidaturën e tij. Shtëpia e Bardhë dhe autoritetet kineze gjithashtu nuk kishin konfirmuar informacionet e publikuara.

Vetë Orban nuk pranoi të komentonte për The Wall Street Journal. Sipas gazetës, ai ka shfaqur interes për postin, por nuk dëshiron të përfshihet në një garë pa pasur siguri të mjaftueshme për mbështetjen që mund të marrë.

Ndërkohë, autoritetet hungareze kanë ndaluar dy ish-ministra të qeverive të Orbanit dhe ish-guvernatorin e Bankës Qendrore në kuadër të hetimeve për korrupsion. Ish-kryeministri nuk përballet me akuza penale në këto çështje.

Qeveria e re hungareze e ka klasifikuar Rusinë si kërcënim dhe ka vendosur një kufi prej tetë vitesh për ushtrimin e detyrës së kryeministrit.

Mandati i Sekretarit aktual të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfundon më 31 dhjetor 2026.

Në procesin e përzgjedhjes së pasardhësit të tij, kandidatja nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan, kryesoi votimin orientues të 5 nëntorit me 12 vota mbështetëse dhe tri kundër. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ajo vazhdon të përballet me kundërshtime nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Në këto rrethana, mundësia e kandidimit të Orbanit mbetet pjesë e diskutimeve diplomatike, pa një propozim zyrtar dhe pa konfirmimin e mbështetjes nga tri fuqitë e përmendura. \tesheshi