Lajçaku e Escobari të premten paradite në Kosovë

Të premten i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të jenë në Kosovë.

Bashkë me këshilltarët e Kancelarit gjerman, Presidentit francez dhe Kryeministres italiane, Plotner, Bonne dhe Talo, ata do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Qeveri.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se në takim do të diskutohet mbi procesin e dialogut.

“Do të diskutohet për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.

Të mërkurën, Lajçak ka takuar Kurtin në Davos të Zvicrës ku kanë diskutuar për dialogun. Lajçaku e ka përshkruar diskutimin si “të thelluar”.