Ballina Artikuj Lehtësimi në dhënien e fetvave

Lehtësimi në dhënien e fetvave

Dr Jusuf Kardavi (r.a)

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Të gjitha falënderimet janë për Allahun dhe paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi profetin Muhamed (a.s).

Në të vërtetë feja e Islamit nuk kërkon t’u shkaktojë vuajtje ndjekësve të saj, apo t’i ngarkojë me përgjegjësi përtej aftësive të tyre. Lehtësimi dhe ndihma janë prej karakteristikave kryesore të Islamit. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Allahu nuk dëshiron (me obligim për abdes e larje) t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkateve), t’ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që ta falënderoni”[1]

Koncepti i lehtësimit dhe ndihmës në Islam shfaqet qartë në legjislacionet e thjeshta dhe të adaptueshme të tij. Duke marrë parasysh situatat e ndryshme, me të cilat përballen njerëzit, Islami i lehtëson rregullat e tij, në atë mënyrë që ky ndryshim të përputhet me zbatimin e rregullave të sheriatit, gjithsesi pa u ndarë nga realiteti.

Dijetari i njohur mysliman Sheikh Jusuf Kardavi i përgjigjet kësaj pyetjeje si vijon:

Një prej përparësive që duhet të merret parasysh në fushën e fetvasë dhe të davetit është përdorimi i një metode të lehtë, larg nga ashpërsia dhe vrazhdësia. Dispozitat e Kuranit dhe të profetit (a.s) tregojnë, se Allahu dhe i dërguari i Tij pëlqejnë lehtësimin e gjërave. Allahu thotë: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju e nuk dëshiron vështirësim për ju”[2]. Ai thotë gjithashtu: “Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat) e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’u bërë ballë epsheve)”[3]. Në një ajet tjetër Ai thotë: “Allahu nuk dëshiron (me obligim për abdes e larje) t’ju sjellë ndonjë vështirësi”[4]

Po ashtu transmetohet, se profeti (a.s) ka thënë: “Pjesët më të mira të fesë tuaj janë ato më të lehtat”. Në një hadith tjetër ai thotë: “Feja më e dashur tek Allahu është ajo hanife es-samha (e lehta dhe e buta)”. Për më tepër, Aishja, gruaja e të dërguarit (a.s), ka thënë: “Sa herë që Profetit (a.s) i është dashur të zgjedhë në mes dy gjërave, gjithmonë ka zgjedhur më të lehtën, nëse nuk ishte mëkat. Nëse një gjë ishte mëkat, atëherë Profeti (a.s) ishte njeriu më i largët prej tij”.

Metoda e butë fiton më shumë peshë në rastet kur nevojitet lehtësimi, si në rastet e sëmundjeve, të moshës së thyer, vështirësisë së madhe e kështu me radhë. Xhabir ibn Abdullah (r.a) tregon, se gjatë një udhëtimi i Dërguari i Allahut (a.s) pa një burrë. Njerëzit po mblidheshin rreth tij dhe po i bënin hije. Ai tha: “Çfarë ka ai?” “Po agjëron”, – i thanë. I dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nuk është e drejtë, që të agjërosh gjatë udhëtimit”.

Nëse udhëtimi nuk është i vështirë, mund të agjërosh. Aishja (r.a) transmeton, se Hamzah ibn Amr El-Eslami e pyeti të dërguarin e Allahut (a.s) për agjërimin gjatë udhëtimit. Profeti (a.s) tha: “Nëse do agjëro dhe nëse do ndërprite atë”.

Për agjërimin gjatë udhëtimit dhe mospajtimet e mendimit në lidhje me rregullat e tij, kalifi i drejtë Umer Ibn Abdul Azizi ka thënë: “Zgjidhja më e lehtë është më e përkryera”. Ky është një mendim i pranueshëm, duke pasur parasysh faktin, se disa njerëz e kanë më të lehtë të agjërojnë me njerëzit e tjerë sesa të agjërojnë vetë, kur të tjerët nuk po agjërojnë. Nga ana tjetër, mund të zgjedhin ta vonojnë agjërimin. Prandaj më e lehta, më e mira.

Gjithashtu për ta lehtësuar agjërimin, profeti (a.s) u bëri thirrje myslimanëve, të nxitonin për çelur iftarin sapo të hynte koha dhe ta vononin ngrënien e syfyrit.

Përveç kësaj, shumë dijetarë kur trajtojnë rregulla të diskutueshëm, preferojnë ato që janë më të lehtë për njerëzit, veçanërisht në fushën e lidhjeve tregtare dhe të transaksioneve. Një prej shprehjeve që ata përsërisin më shumë është: “Ky rregull është më i lehtë për njerëzit”.

Falë Zotit unë përdor metodat e lehtësimit, kur jap fetva dhe lehtësinë në çështjet e ftesës islame në përputhje me qëndrimin e profetit (a.s). Para se t’i niste Ebu Musën dhe Muadhin për në Jemen, profeti (a.s) i këshilloi, që t’u tregonin më të lehtën atyre dhe të mos ishin të ashpër me ta.

Kur më bënë një pyetje, gjatë një prej leksioneve të mia, u përgjigja se nëse do të hasja në dy mendime me peshë dhe forcë të njëjtë, ose pothuajse të njëjtë, do të zgjidhja më të lehtin prej tyre. Një prej pjesëmarrësve pyeti, se ku bazohesha për këtë zgjedhje. Unë u përgjigja, se bazohesha tek udhëzimet e profetit (a.s), i cili zgjidhte opsionet më të lehta. Ai i urdhëroi imamët që ta shkurtonin namazin e tyre, sepse mes adhuruesve kishte shëndetligë, të moshuar apo njerëz që kishin nevoja të ndryshme.

Lejohet që një dijetar të japë një fetva të rreptë, për ata që kanë besim të fortë dhe të palëkundur. Megjithatë njerëzve duhet t’u drejtohesh me fetva të lehta dhe të buta.

Në fakt në kohët tona metoda e butë është e nevojshme gjithmonë e më shumë, veçanërisht në lidhje me ata që konvertohen në Islam dhe me ata që pendohen së fundmi. Ky qëndrim është shumë i qartë në mënyrën sesi ua mësonte profeti (a.s) Islamin atyre, që sapo e kishin pranuar atë. Ai nuk i mbingarkoi ata asnjëherë me detyra, urdhra apo ndalime. Kur ata e pyesnin, profeti (a.s) i informonte për detyrat themelore të Islamit, pa i mbingarkuar me gjerat e tjera jo të detyrueshme. Gjithashtu profeti (a.s) i kritikonte ata, që i vështirësonin gjërat për njerëzit, pa i marrë parasysh rrethanat e tyre. Kjo tregohet në qëndrimin e tij ndaj disa shokëve të tij, të cilët e zgjasnin shumë namazin, kur bëheshin imamë dhe si rezultat disa prej njerëzve ankoheshin.

Një burrë shkoi tek profeti (a.s) dhe i tha: “Unë e vonoj faljen e namazit të sabahut, për shkak të filanit që e zgjat tepër namazin!” Ibn Mes’udi pastaj tregon: “Unë asnjëherë më parë nuk e kisha parë Profetin (a.s) më të zemëruar se atë ditë gjatë dhënies së këshillave. Profeti (a.s) pastaj iu kthye të pranishmëve dhe u tha: “O ju njerëz, vërtet disa prej jush i largojnë të tjerët. Prandaj çdonjëri prej jush, i cili iu prin të tjerëve, le ta shkurtojë namazin, sepse pas tij është plaku, fëmija si dhe ai që ka nevojë për diçka tjetër”.

Enesi (r.a), shok dhe shërbëtor i profetit (a.s) ka thënë: “Asnjëherë nuk kam falur ndonjë namaz më të lehtë dhe më të përkryer, sesa me profetin (a.s) dhe ai e shkurtonte namazin, sa herë që dëgjonte ndonjë fëmijë që qante, në mënyrë që nëna e tij të mos rëndohej”. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur e filloj namazin, kam si qëllim ta zgjas atë, por sapo dëgjoj ndonjë fëmijë të qajë, e shkurtoj atë, sepse e di se e qara e fëmijës do të rëndojë gjendjen e nënës së tij”. Në një hadith tjetër, Ebu Hurejra (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Nëse u prini të tjerëve në namaz, atëherë shkurtojeni atë, sepse mes atyre që falen ka njerëz të sëmurë, shëndetligë dhe të moshuar; ndërsa kur faleni vetëm, atëherë mund ta zgjasni namazin sa të dëshironi”.

Profeti nuk e pëlqente ashpërsinë, sidomos kur mendonte se ajo mund të formonte një orientim që mund të zbatohej, jo vetëm nga individët, por nga një grup myslimanësh. Kjo vihet re në mospëlqimin e tij ndaj veprimit të tre shokëve, të cilët kishin si qëllim të ndiqnin një mënyrë të ndryshme adhurimi nga mënyra e tij edhe pse kishin si qëllim vetëm të bënin vepra të mira dhe t’i afroheshin më shumë Allahut. Enesi (r.a) tregon: “Tre njerëz prej të afërmve shkuan në shtëpitë e grave të Profetit (a.s) dhe pyetën për ibadetin e Profetit (a.s). Pasi morën përgjigje, atyre iu duk se kjo është pak dhe thanë: “Ku jemi ne e ku është Profeti (a.s). Allahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet e mëparshme dhe ato të ardhshmet”. Njëri prej tyre tha: “Sa më përket mua, unë gjithnjë do të falem tërë natën”. I dyti tha: “Unë vazhdimisht do të agjëroj”. I treti tha: “Unë do të izolohem prej grave dhe kurrë nuk do të martohem”. Kur vjen i Dërguari i Allahut (a.s) u thotë: “A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha Allahun, unë druhem më shumë dhe jam më i devotshëm ndaj Allahut sesa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Suneti im, ai nuk më përket mua”.

Në këtë kontekst Ibn Mesudi (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Janë shkatërruar dhe kanë humbur ata, që mbingarkohen (gjuhësisht dhe në veprim)”. Këtë e tha tri herë.

Këtu bëhet fjalë për ata, që kërkojnë t’i vështirësojnë çështjet pa qenë nevoja.

Për më tepër, Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet feja është lehtësi, kushdo që e vështirëson fenë (me shtesa) ajo e ngadhënjen atë (duke e kthyer në gjendje normale) andaj drejtohuni, afrohuni (njëri me tjetrin), dhe përgëzoni, shfrytëzoni dhe ndihmohuni me ecje të mëngjesit, të mbrëmjes dhe të pasdarkës (shfrytëzoni lehtësimet fetare në ibadete)”

Sipas një transmetimi të Buhariut, ky hadith përfundon kështu: “Silluni me maturi, afrohuni njëri me tjetrin, ecni (për namaz) gjatë ditës dhe natës dhe ndani një pjesë të ditës dhe natës për nafile. Mbahuni mesatarë, mbahuni mesatarë e do t’ia arrini qëllimit”.

Si rrjedhim, profeti na tregon, se ai që ka për qëllim ta mbingarkojë veten e tij me detyra fetare do të dështojë, përderisa degët e fesë janë të shumta. Prandaj ai na mësoi të zgjedhim kohët që janë më të përshtatshme për të kryer veprat e adhurimit, që janë kohët kur zemra është e qetë dhe trupi nuk është i lodhur, në mënyrë që ne ta ndiejmë bukurinë e adhurimit dhe të mos ndihemi të lodhur.

Autor: Jusuf Kardavi

[1] – Sure Maide: 6.

[2] – Sure Bekare: 185.

[3] – Sure Nisa: 28.

[4] – Sure Maide: 6.