Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Letra e sulltanit që sfidon qindra vjet histori diplomatike!

Letra e sulltanit që sfidon qindra vjet histori diplomatike!

Dokumenti i vitit 1650, tregon se iu propozua Spanjës një marrëveshje paqeje dhe tregtie

Një letër e jashtëzakonshme, më shumë se 2,5 metra e gjatë, e vulosur me ar dhe e nënshkruar nga sulltani osman Mehmeti IV, po hedh dritë mbi një kapitull pak të njohur të historisë diplomatike mes Perandorisë Osmane dhe monarkisë spanjolle.

Dokumenti, i datës prill 1650, përmban një propozim të drejtpërdrejtë për paqe dhe marrëdhënie tregtare mes dy perandorive, më shumë se një shekull përpara periudhës kur historianët kanë besuar tradicionalisht se nisën kontaktet zyrtare diplomatike mes Spanjës dhe fuqive muslimane të Mesdheut.

Zbulimi mori një rëndësi të veçantë në vjeshtën e vitit 2025, kur historiani spanjoll Rubén González Cuerva, studiues pranë Këshillit të Lartë për Kërkime Shkencore (CSIC), kërkoi të konsultonte dokumentin në Arkivin Historik Kombëtar të Spanjës.

Përmasat e tij ishin aq të mëdha, sa punonjësit e arkivit iu desh t’i kërkonin të zhvendosej në një sallë më të përshtatshme. Letra i drejtohej mbretit Filip IV nga sulltani Mehmeti IV dhe përmbante një ofertë për vendosjen e marrëdhënieve të paqes dhe tregtisë, të ngjashme me ato që osmanët kishin krijuar tashmë me fuqi të tjera europiane.

Sulltani premtonte gjithashtu t’u hapte dyert e Stambollit tregtarëve spanjollë. Sipas González Cuerva-s, propozimi mund të kishte ndryshuar ekuilibrat politikë në Mesdhe.

Rëndësia e dokumentit nuk qëndron vetëm te përmbajtja, por edhe te paraqitja e tij. Letra mban tugrën, shenjën perandorake të sulltanit, të punuar me ar, ndërsa letra e prodhuar me dorë dhe kaligrafia e hollë dëshmojnë për traditën e pasur dokumentare osmane.

Restaurimi i saj mundësoi dallimin e arit të vërtetë nga elementet e tjera dekorative, riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga palosjet shekullore dhe digjitalizimin për ruajtjen afatgjatë.

Një tjetër episod interesant lidhet me Ahmed Agën, të dërguarin osman që qëndroi në Madrid gjatë viteve 1649-1650. Ai arriti të paraqitej si ambasador i jashtëzakonshëm, status që i siguronte privilegje dhe shpenzime të mbuluara nga kurora spanjolle.

Letra është ndër dokumentet kryesore të ekspozitës “Një thesar i rikuperuar: Letra arabe dhe osmane nga Arkivi Historik Kombëtar”, e cila paraqet marrëdhëniet diplomatike mes Spanjës dhe fuqive muslimane ndër shekuj.

Aty përfshihen edhe dokumente të tjera, si një letër e vitit 1513 nga kadiu i Tlemcenit drejtuar kardinalit Cisneros dhe një letër e vitit 1771 nga Lalla Fatima, bashkëshortja e sulltanit të Marokut, drejtuar princeshës spanjolle Maria Luiza e Parmës.

“Idesë se monarkia spanjolle, për shkak të karakterit të saj katolik, nuk kishte marrëdhënie diplomatike me muslimanët, nuk i përgjigjet plotësisht realiteti”, thekson González Cuerva.

Në të vërtetë, dokumenti i vitit 1650 dëshmon se, përtej luftërave, rivaliteteve fetare dhe përplasjeve territoriale, Madridit dhe Stambollit nuk u mungonin kanalet e komunikimit. Historia e tyre nuk ishte vetëm një histori armiqësie, por edhe e diplomacisë, interesave të përbashkëta dhe përpjekjeve për marrëveshje. \tesheshi