Lëvizja ndërton kuptim

“Jeta është si një biçikletë, që patjetër i hypuri në të, të jetë këmbëlëvizës i vazhdueshëm, si mënyrë e vetme për të mos pikuar”! – thoshte Albert Einstein!

Po edhe diç, patjetër që lëvizja e lëvizësit, të jetë lëvizje e atillë, që shpien, orienton dhe drejton përpara, e jo që hedh në regresion, prapambeturi, prapësi, pandreqshmëri dhe ngecje!

Kur ti miku im nuk lëviz, ndërkohë që koha ec e kalon, e barazuar, e njëjtë dhe simetrike është për ty, edhe nata edhe dita, edhe mëngjesi edhe darka, edhe ora edhe minuti, saqë, të vjen e të mbërthen një çastë e ti, dëshpërimisht e pyet unin tënd: “Vallë, për çka po jetokam unë në këtë botë?!!”

Po pra me siguri se, lëvizja është ajo që e bën çastin dhe jetën kuptimplote!

Puna, studimi dhe mësimi, nuk janë fitim i anës materiale apo të një profesioni vetëm, por, qëllimi këtu është tek ajo, që ti je duke marrë pjesë në angazhimet dhe detyrat e jetës, nëpërmjet lëvizjes sate.

Natyrisht se atëherë kur ti e derdh djersën tënde, e gjen lumturinë, e kërkon komoditetin dhe e koncepton drejtësisht kuptimin e jetës.

Pa vështro një copë here diellin, se si ai noton dhe lëviz nga lindja në perëndim, kështu, duhet të jetë edhe lëvizja e njeriut! Tamam, sikur puna e diellit.

Studimet në një Universitet në Çikago, kanë konkluduar se, të angazhuarit dhe të lëvizurit në ndonjë punë, projekt apo aktivitet, po edhe i thjeshtë qoftë ai, (pa qenë shkaktues i ndonjë stërlodhjeje), prodhon shumë energji pozitive, dhe, pakëson tek njeriu ndjenjën e mërzisë, torturës psikologjike dhe nervat e stresuara!

Një tjetër studim në një Universitet në Shanghai, konfirmohet se të aktivizuarit veten me një punë, me ose pa shpërblim, sjellë ndjenja lumturie, poashtu edhe ata të cilët punojnë në një mënyrë të qëndrueshme apo statike, apo edhe në ndonjë hobi, janë njerëz më të lumtur nga ata të cilët, nuk bëjnë lëvizje trupore në asnjë punë!

Energjinë e brendshme, nuk duhet që pronari i saj ta lërë atë që të shkojë, ashtu huq apo kot fare, apo thënë ndryshe, të jetë një energji e palëvizshme, e vrarë, e fjetur, e vdekur dhe e ndenjur! E di ti se ujku, brenda strehës së tij, sillet e sillet, me bisht të ngritur?! Dhe e di se përse ndodhë kjo tek ai?! Sepse ajo është një shprehje, shfaqje dhe deshifrim i gjallërisë dhe lëvizjes së brendshme të tij!

Lëvizësi, aq sa, edhe në gjumë nuk zhytet e përhumbet, kurse energjinë e tij ta lër mënjanë. Eh, prandaj dhe njeriu jetik dhe i gjallë, është përshkruar si ujkë, në formë komplimentimi, vlerësimi dhe lëvdate.

S’ka gjë më të vyeshme për njeriun, se sa lëvizja, puna dhe gjallërimi i tij. Medito pakëz miku im, se si Allahu i Gjithmëshirshëm na jep shpërblime dhe dhurata, mirësi dhe lëvdata, për veprat e mira të cilat ne i bëjmë, dhe kjo, për faktin e vetëm që ne, të ngacmohemi e të nxitemi, që të bëhemi më të aftë, më të fortë, më të shkathët, më të gjallë, më serioz, më të pjekur, më të bardhë dhe më të mirë në rrugëtimin tonë të jetës.

Puna e mbron njeriun nga:
Mërzia, stresi, monotonia;
Rrezillëqet, krimet, gjynahet;
Nevoja;

Atëherë kur puna të cilën je duke e bërë, është e kënaqshme, edhe jeta do të të duket e bëhet e kënaqshme e lumtur dhe pafund e ngazëllyer, por, kur të të bëhet puna obligim i patjetësueshëm, pa të cilën s’bën, atëherë ç’bëhet ajo?! Adhurim bëhet!

Vëllai im, bëje çdo punë, sikur e fillon atë për herë të parë, dhe dije se, saherë që të punosh më shumë, do të jetosh më shumë! Tha një njeri i gjallë dhe lëvizës: “Unë jam nga ata besimtarë fatlum dhe këtë e them për faktin se, saherë që shohë se rritet dhe bardhësohet fati im, arsyen për këtë e gjej tek shtimi i punës dhe lëvizjes sime. Po-po!”
Kush punon, lëviz e përpiqet, s’do mend që në fund do të sheh rezultate, e kush flen, s’do të sheh tjetër gjë, vetëmse ëndrra! Edhe për në fund po ta them diç se, gjëja më e rëndësishme tek lëvizja dhe puna është se, ti arrinë që të eksplorosh enigmat dhe misteret në veten, unin apo egon tënde.

Dr. Selman El-Aude
Shqipëroi nga arabishtja: Agron Islami