Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, ka reaguar ndaj spekulimeve të shumta rreth të ardhmes së tij, duke theksuar se nuk është momenti i duhur për të vendosur për hapin e radhës në karrierë.
37-vjeçari, kontrata e të cilit skadon në verë, ka shprehur ambicien për të fituar Ligën e Kampionëve, ndërsa ka theksuar se periudha e tij te Barcelona do të mbetet gjithmonë e veçantë për të.
“Definitivisht, nuk është ende koha për të marrë vendime”, ka thënë Lewandowski.
“Nuk kam asnjë ide se çfarë do të ndodhë me Ligën e Kampionëve. Fitorja është ende shumë larg dhe nuk ka kuptim të mendojmë se çfarë ndodh më pas”.
“Ta përmbyll karrierën time në nivel klubesh me një fitore të dytë në Ligën e Kampionëve me një klub të dytë do të ishte fantastike”.
“Nëse dikush do të më kishte thënë se do të shënoja kaq shumë gola dhe do të fitoja kaq shumë trofe, do ta kisha pranuar pa hezitim”.
E ardhmja e sulmuesit polak mbetet e hapur, ndërsa Barcelona po hyn në një fazë vendimtare të sezonit, me objektiva të qarta në garat vendase dhe në Evropë.







