Lewandowski: Kam merituar të shpërblehem me Topin e Artë

Robert Lewandowski, lojtari i kampionit aktual të Gjermanisë dhe fituesit të Ligës së Kampionëve, Bayern Munich, deklaroi se ka merituar të shpërblehet me Topin e Artë (Ballon d’Or), çmim ky që i ndahet futbollistit më të mirë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lewandowski ndodhet në vendlindjen e tij Poloni, ku iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

“Këtë vit si ekip kemi fituar gjithçka që mund të fitohet. Unë kam qenë golashënuesi më i mirë në të gjitha kompetecionet që kam luajtur. Unë mendoj se çmimi ‘Topi i Artë’ duhet t’i jepet lojtarit që e meriton atë”, tha Lewandowski për mediat polake

Lewandowski (32), i cili ka shënuar 55 gola në 47 ndeshje këtë sezon dhe ka shënuar gola në të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve, gjithashtu tha se duhet të fitojnë Super Kupën e Gjermanisë si dhe Super Kupën e UEFA-së.