Shkeljet e armëpushimit izraelit kanë shkatërruar 428 njësi banimi në Libanin jugor gjatë tre ditëve të fundit, tha të mërkurën Këshilli Kombëtar për Kërkime Shkencore i Libanit, transmeton Anadolu.
Shifrat u paraqitën në një raport të lëshuar gjatë një eventi që shënoi prezantimin e një “kornize strategjike për rimëkëmbjen mjedisore pas luftës”.
Këshilli tha se 50 njësi të tjera banimi u dëmtuan gjatë së njëjtës periudhë.
Ai shtoi se gjatë 46 ditëve të sulmeve izraelite para armëpushimit të fundit, 17.756 njësi banimi u shkatërruan plotësisht, ndërsa 32.668 të tjera u dëmtuan.
Ushtria izraelite gjithashtu ka vazhduar të shembë dhe të hedhë në erë shtëpitë në disa qytete që ka pushtuar në Libanin jugor, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Libanit.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka zgjeruar sulmet e tij në Liban, duke vrarë 2.454 persona, duke plagosur 7.658 dhe duke zhvendosur mbi 1 milion të tjerë, sipas shifrave zyrtare.
Libani dhe Izraeli më 15 prill zhvilluan bisedime në nivel ambasadorësh në Washington, të parat e tyre në 43 vjet.
Palët do të zhvillojnë një raund të dytë negociatash në Washington të enjten, tha një burim i lartë libanez për Anadolu.


