Lideri iranian, Khamenei: Burimi i krizave në Afganistan është SHBA-ja

Ayatollah Ali Khamenei

Lideri iranian Ayatollah Ali Khamenei tha se përgjegjës i krizave në Afganistan është SHBA-ja e cila pushtoi këtë vend 20 vite më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Iranit, Khamanei priti anëtarët e kabinetit të qeverisë së 13-të që formoi presidenti Ebrahim Raisi dhe në një fjalim të mbajtur këtu ai tha se ndjenja e besimit të popullit ndaj qeverisë është dobësuar në periudhën e qeverisë së mëparshme dhe nga qeveria e re ai kërkoi që të rregullohet kjo situatë.

Khamanei vuri theksin mbi rëndësinë e politikës së jashtme dhe tërhoqi vëmendjen mbi nevojën për forcimin e diplomacisë ekonomike. Ai theksoi se është e nevojshme të zhvillohet tregtia e jashtme me shumë vende në botë kryesisht me 15 vendet fqinje.

“Administrata aktuale e SHBA-së nuk është ndryshe nga ajo e mëparshme”

Në fjalën e tij, Khamanei vlerësoi negociatat bërthamore dhe zhvillimet në Afganistan. “Amerikanët vepruan në mënyrë shumë të paturpshme në çështjen e marrëveshjes bërthamore dhe pavarësisht se në sy të të gjithëve u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja ata bënë kërkesa sikur nga marrëveshja ishte larguar Irani. U tallën me negociatat, edhe evropianët vepruan si SHBA-ja”, tha ai.

Duke akuzuar presidentin amerikan Joe Biden për kërkesa të njëjta me paraardhësin e tij Donald Trump në bisedimet e bëra për rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore, Khamanei tha se “Administrata aktuale e SHBA-së nuk është ndryshe nga ajo e mëparshme sepse kërkesat e tyre nga Irani janë gjoja të ndryshme, por në të vërtetë kërkojnë të njëjtat me kërkesat e Trumpit”.

“SHBA-ja nuk ka hedhur as edhe një hap të vetëm për të zhvilluar Afganistanin”.

Khamanei vuri theksin se përgjegjës i krizave në Afganistan është SHBA-ja. “SHBA-ja nuk ka hedhur as edhe një hap të vetëm për të zhvilluar Afganistanin. Në aspektin e zhvillimit Afganistani i sotëm nëse nuk është prapa nga niveli i 20 viteve më parë, ai nuk ka përparuar. Burimi i krizave në Afganistan është SHBA-ja. Amerikanët gjatë pushtimit 20 vjeçar kanë kryer çdo brutalitet në këtë vend përfshirë bombardimin e dasmave dhe ceremonive mortore, burgosjen e të pafajshmëve si dhe rritjen me 10 herë të prodhimit të drogës”, tha ai.

“Ne e mbështesim kombin afgan. Qeveritë vijnë e ikin por populli afgan është i përhershëm. Natyra e marrëdhënieve tona me qeveritë është e lidhur me marrëdhënien e tyre me ne”, tha Khamanei i cili shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin popullin e Afganistanit. /aab