Liga Arabe dënon ‘krimet’ e Izraelit në Xhaminë Al-Aksa

Liga Arabe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjë për të ndalur “krimet” izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të lëshuar pas një takimi urgjent në Kajro, Liga Arabe dënoi sulmet izraelite kundër adhuruesve brenda kompleksit Al-Aksa.

“Këto krime u përshkallëzuan në mënyrë të rrezikshme në ditët e fundit të muajit të Ramazanit, dhe çuan në qindra lëndime dhe arrestime të besimtarëve, inkursione dhe përdhosje të qëllimshme të shenjtërisë së Xhamisë Al-Aksa nga zyrtarë ekstremistë izraelitë dhe kolonë nën mbrojtjen e forcave okupatore”, thuhet në deklaratë.

Deklarata refuzoi “të gjitha format e shkeljeve izraelite të vendeve të shenjta islame dhe të krishtera, veçanërisht ato që synojnë ndryshimin e status quo-së historike dhe ligjore në Xhaminë Al-Aksa”.

Liga pan-arabe e konsideroi Izraelin përgjegjës për pasojat e masave të saj që pengojnë lirinë e adhurimit në vendet e shenjta islame dhe të krishtera në Kuds.

Ajo u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara, përfshirë Këshillin e Sigurimit, të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre ligjore, morale dhe humanitare për ndalimin e agresionit izraelit dhe sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare për popullin palestinez.

Takimi i sotëm urgjent u thirr nga Jordania, në koordinim me Egjiptin dhe Palestinën.

Tensionet u rritën në Bregun Perëndimor të pushtuar sot pasi policia izraelite arrestoi rreth 350 besimtarë nga brenda kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.

Një grup palestinezësh formuan barrikadë brenda faltores Al-Kibli brenda kompleksit pasi kolonët hebrenj bënë thirrje për një bastisje në xhami. Ata u përpoqën të pengonin hyrjen e policisë duke mbyllur dyert e saj.

Duke rrethuar faltoren Al-Kibli, policia izraelite u ngjit në çatinë e xhamisë, theu disa nga xhamat dhe fillimisht ndërhyri me bomba zhurmuese kundër besimtarëve brenda. Disa nga personat në xhami u përpoqën t’i rezistojnë policisë duke hedhur fishekzjarre.