Liga Arabe sot u bëri thirrje autoriteteve të Australisë që të njohin shtetin e pavarur të Palestinës dhe Kudsin Lindor si kryeqytetin e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Thirrja u bë një ditë më vonë pasi kryeministri australian Scott Morrison zyrtarisht njohu Kudsin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
“Deklarata australiane është shqetësuese pasi është në kundërshtim me të drejtat e palestinezëve dhe normat e së drejtës ndërkombëtare”, tha sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul-Gheit.
Ai u kërkoi autoriteteve të Australisë të përmirësojnë përshtypjen dhe të njohin shtetin e pavarur të Palestinës dhe Kudsin Lindor si kryeqytetin e saj.
“Kështu, qëndrimin e Australisë ne do ta konsideronim si të balancuar”, tha Aboul-Gheit.
Në të njëjtën kohë, Liga Arabe shprehu shqetësim rreth tendencës së vazhdueshme të tensioneve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Me kërkesë të Palestinës, Liga Arabe të martën do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për situatën në Bregun Perëndimor. Në seancë do të marrin pjesë ambasadorët e vendeve anëtare të Ligës Arabe.


