Ekspertë ligjorë dhe të sigurisë në Izrael kanë shprehur kundërshtime ndaj një projektligji që parashikon dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë të dënuar për sulme, duke paralajmëruar se ai mund të ketë “pasoja të rënda ndërkombëtare”.
Projektligji u miratua në lexim të parë në Knesset në nëntor 2025, pasi u propozua nga partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, e udhëhequr nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ai parashikon dënim me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse ndaj izraelitëve, ndërsa qytetarët izraelitë të dënuar për të njëjtën vepër do të përballeshin me burgim të përjetshëm.
Sipas draftit, çdo person që “me dashje ose pa dashje” shkakton vdekjen e një qytetari izraelit do t’i nënshtrohej dënimit me vdekje. Projektligji duhet ende të kalojë leximin e dytë dhe të tretë përpara se të bëhet ligj, ndërsa data e votimit përfundimtar nuk është caktuar.
Një nga nenet, sipas gazetës Haaretz, i jep ministrit të Mbrojtjes të drejtën të lejojë një komandant ushtarak që të vendosë dënim me vdekje për një banor të Bregut Perëndimor nëse vepra cilësohet si “terrorizëm”. Ky përcaktim, sipas ligjit, nuk zbatohet për qytetarët apo banorët izraelitë.
Projektligji gëzon mbështetje nga disa parti në Knesset, përfshirë partinë Likud të kryeministrit Benjamin Netanyahu. Komisioni i Sigurisë Kombëtare në Knesset po zhvillon diskutime me ekspertë përpara se ta çojë ligjin në leximet e ardhshme.
Gjatë këtyre diskutimeve, zyrtarë ligjorë dhe të sigurisë kanë paralajmëruar se pjesë të projektligjit janë “të paligjshme” dhe do të sillnin pasoja serioze në arenën ndërkombëtare. Zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se ligji nuk përmbush standardet kushtetuese.
Gjithashtu, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes kanë theksuar se ndalimi i zbutjes së dënimeve për palestinezët nga Bregu Perëndimor bie ndesh me Konventën e Gjenevës dhe është kundërshtuar nga vetë ministria.
Aktualisht, mbi 9.300 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, përfshirë gra dhe fëmijë. Sipas raportimeve të organizatave palestineze, izraelite dhe mediave, të burgosurit përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, që kanë çuar në vdekjen e dhjetëra personave.
Me kalimin e viteve, Izraeli ka miratuar një sërë ligjesh që kritikët i cilësojnë si diskriminuese, të orientuara drejt shtrëngimit të kontrollit mbi palestinezët, konfiskimit të tokave dhe zhvendosjes së tyre. /mesazhi







