Shaip Selimi ka punuar për 45 vjet mësimdhënës i lëndës së Fizikës në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, kurse në vitin 2008 është pensionuar. Selimi ka punuar edhe gjatë viteve 1990-1999, para luftës së fundit në Kosovë, kohë kjo të cilën ai e konsideron periudhën më të vështirë gjatë karrierës së tij.
Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politik shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Për të shpaguar punën e mësimdhënësve të asaj periudhe, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar në parim Projektligjin për Statusin e Punëtorëve në Arsim të Viteve të 90-ta të sponsorizuar nga Qeveria.
Selimi, thotë se mundi dhe sakrifica e arsimtarëve të asaj kohe nuk mund të shpaguhet apo kompensohet me mjete financiare, por nëse zbatohet ky ligj, sipas tij, do të tregohej megjithatë edhe një respekt dhe vlerësim i punës së realizuar.
“Pavarësisht, rrezikut në punë, në vitet 90-99 asnjë minutë të humbur nuk e kam pasur. Aq me përkushtim dhe flijim kemi punuar vetëm që të mbajmë arsimin shqip gjallë. Kjo sakrificë nuk mund të shpaguhet me mjete financiare, me ligjin që është nënshkruar në parim. Por, unë vlerësoj se ky ligj është shenjë respekti për kontributin e asaj kohe”, thotë Selimi.
Sipas projektligjit, mësimdhënësit që konsiderohen të jenë rreth 23 mijë, të cilët kanë punuar nga pesë deri në 10 vjet gjatë kësaj periudhe, do “shpërblehen” me 67 euro në muaj dhe pension kontribut-pagues prej 240 euro. Kjo nënkupton se ata në përgjithësi do të paguhen me nga 303 euro muaj.
Kurse mësimdhënësit që kanë punuar më pak se pesë vite do marrin 263 euro në muaj.








