Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, shumë shpejt do të gjendet në rend të ditës, thotë Igor Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik.
Ai e vlerëson dialogun e brendshëm serb për Kosovën si rast të mirë, ku secili mund ta shpërfaqë qëndrimin e vet të qartë.
Simiq thotë se Lista Serbe është pjesë e ekipit të Beogradit në dialogun e Brukselit, ndërkohë që, sipas tij, kjo listë nuk do të ofrojë, në asnjë rast, mbështetjen për ndryshimet kushtetuese të nevojshme për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.
Lista Serbe edhe më herët ka konfirmuar se formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, është nevoja kryesore e bashkësisë serbe në Kosovë. A është duke u punuar për të?
Simiq: Është fakt që e dinë të gjithë se Bashkësia e komunave serbe paraqet obligimin, të cilin Prishtina e ka marrë mbi vete me nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013. Në javët e fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë se procesi i formimit të Bashkësisë së komunave serbe do të nisë. Kjo dëgjohet shpesh nga zyrtarët e Prishtinës vetëm pas insistimit të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë ose të atyre që vijnë në Kosovë.
Gjithashtu, marrim informata se lidhur me këtë, duhet të hapet një lloj debati. Lista serbe konsideron se nuk ka më bisedime për formimin e Bashkësisë së komunave serbe. Ka qenë e mjaftueshme që në Bruksel të nënshkruhet marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ka përfshirë formimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe pas kësaj edhe marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, kur është definuar se çfarë është ajo që duhet të përmbajë Bashkësia e komunave serbe dhe me çka duhet të merret ajo.
Ne, në Listën Serbe, konsiderojmë se nuk ka më vend për bisedime dhe që është e nevojshme që të shihen rezultatet konkrete dhe proceset që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, në atë mënyrë se si është arritur pajtimi në Bruksel dhe jo ashtu siç po përpiqet dikush që ta paraqes në Kosovë.