Lista Serbe proteston në Veri

Siç ishte paralajmëruar Lista Serbe po mban protestë në veri të Kosovës

Tashmë ka filluar protesta e Listës Serbe e paralajmëruar nga kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, me rastin e aksionit të njësive speciale në veri të Kosovës, raporton lajmi.net.Protesta po mbahet në sheshin qendror të pjesës veriore të Mitrovicës.

Rakiq tha dje, e martë, se njësitë speciale, në momentin kur përfaqësuesit e ligjshëm të serbëve, përfaqësuesit politikë dhe drejtorët e institucioneve publike ishin në Parlamentin e Serbisë për të diskutuar për Kosovën, sulmuan brutalisht banorët e Zubin Potokut.

“Ata shfrytëzuan momentin kur pas zgjedhjeve lokale kryetarët e komunave nuk kanë marrë ende funksionet e tyre. Sipas deklaratave që vijnë nga Prishtina, ne ende nuk jemi kryetarë komunash, por në shërbim të qytetarëve dhe ne jemi ende qytetarë të zakonshëm”, tha Rakiq.

Kujtojmë se nga aksioni i policisë së Kosovës u arrestuan 19 zyrtarë policorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ryshfet dhe kontrabandim.

11 zyrtarë policor ishin serb, 4 shqiptar dhe 4 boshnjak. Inspektorati i Policisë së Kosovës tha dje se policët janë suspenduar nga detyra dhe u është caktuar masë ndalese prej 48 orësh.