Lituania e fiton ndeshjen e parë të plejautit, mund t’i bashkohet Kosovës në grup

Lituania e ka fituar ndeshjen e parë të plejautit ndaj Gjibraltarit, dhe është afër që t’i bashkohet grupit ku është Kosova në Ligën e Kombeve.

Lituania të enjten mbrëma në Loule të Portugalisë, mposhti Gjibraltarin 1:0. Dayle Coleing në minutën e 26-të e la Gjibraltarin me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me të kuq. Golin e fitores e shënoi Armandas Kucys në minutën e 60-të. Në minutën e 71-të, edhe Edvinas Girdvainis u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë te Lituania.

Ndeshja kthyese në Kaunas zhvillohet të martën në orën 18:00.

Në rast se Lituania merr rezultat pozitiv edhe në ndeshjen kthyese, atëherë inkuadrohet në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve, ku është Kosova, Rumania dhe Qipro.