Aktiviteti vullkanik në malin Etna vazhdon pas paroksizmave të regjistruara në fund të dhjetorit 2025 në kraterin verilindor në Katania të Italisë, raporton Anadolu.
Ndonëse aktiviteti shpërthyes në majë ka rënë, më 1 janar 2026 u hap një çarje e re erupsioni në rreth 2.000 metra lartësi në shpatin lindor të vullkanit, duke gjeneruar një rrjedhë llave drejt luginës Valle del Bove.
Ekspertët po monitorojnë aktivitetin efuziv anësor, i cili mbetet larg zonave të banuara dhe nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm. Niveli i alarmit VONA vazhdon të jetë portokalli ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Katanias mbetet plotësisht funksional, pa ndikim në trafikun ajror.
Fotografi të realizuara nga Zafferana Etnea, pranë Katanias, tregojnë ndikimin e rrjedhjes së llavës.
Mali Etna është një nga vullkanet më të njohur dhe më aktivë në botë pasi është në aktivitet pothuajse të vazhdueshëm, me shpërthime efuzive dhe shpërthyese.
Derisa shpërthimet janë të shpeshta, ato zakonisht nuk janë katastrofike për popullatën aty pranë, por ato mund të pengojnë udhëtimin ajror dhe të dëmtojnë infrastrukturën.




