LSDM ende po shqyrton vërejtjet e BDI-së

Lidhja Social Demokrate ende po shqyrton materialet e dorëzuara nga BDI në formë të vërejtjeve për mangësitë që partia shqiptare i ka parë në propozimet e LSDM-së, kryesisht për Ligjin për Gjuhën Shqipe. Përgjegjësit për komunikim me media të kësaj partie thanë se nuk kanë asgjë të re për të shtuar në kontekst të materialeve të dorëzuara nga BDI dhe qëndrojnë në deklaratën e liderit të tyre Zoran Zaev se kur ta marrin mandatin, do të shprehin mendimin për platformën dhe për propozimet e tjera që burojnë në këtë kontekst.

“Qëndrimi është se derisa nuk e marrim mandatin, nuk komentojmë asgjë në publik as për platformën e as për asgjë që po zhvillohet. Edhe për propozimin e BDI-së kryetari e tha se jemi duke e shqyrtuar dhe kur do të kemi formuar mendim do tu tregojmë se cilat janë qëndrimet tona”, kanë thënë nga LSDM.

Derisa LSDM po mendohet, BDI dhe Aleanca dje dolën me qëndrim decid se nuk do të lëshojnë pe kundrejt ligjit për gjuhën shqipe pasi siç thanë, propozimi do të dalë prej partive shqiptare e jo prej LSDM, duke e kundërshtuar kështu në mënyrë kategorike propozimin e mëparshëm të LSDM-së që Zijadin Sela e quajti vetëm zëvendësim nenesh e jo ndryshim rrënjësor të qasjes ndaj këtij ligji. Këto dy subjekte parlamentare shqiptare kujtuan se doemos duhet të hapet Kushtetuta, edhe pse një gjë e tillë edhe refuzuar si nga LSDM ashtu edhe nga VMRO-DPMNE. VMRO-DPMNE për shkak të qasjes së saj të njohur kundër dygjuhësisë në gjithë territorin e shtetit, e LSDM për shkak të pengesave teknike që i pamundësojnë votimin e ndryshimeve Kushtetuese pa mbështetje edhe të votave të deputetëve të VMRO-DPMNE-së.