Luanesha nuk martohet me një gomar

Luanesha nuk martohet me një gomar, është një thënie arabe dhe sipas të dhënave gojore, ka qenë një grua algjeriane, nga komuniteti Amazig, ajo që e ka thënë për herë të parë.
Thuhet që një ushtri kaloi pranë fisit të vajzës në fjalë, gjatë një ekspedite ushtarake dhe komandanti i ushtrisë e pikasi vajzën ndërkohë që ajo ishte duke kërcyer me shoqet e saj. Atij i pëlqeu vajza prandaj dhe vendosi ta ftojë për një natë të vetme, prandaj i thurri këto vargje:
O vashë plot hire e këtij vendi
A s’sheh ç’djalë ka kuvendi
Zemra po i digjet nga malli për ty
Falja një natë, e ç’malluni të dy!
Vajza iu përgjigj aty për aty me vargjet:
E refuzuar është çfarë kërkon
Tek burra si ti, as mendja s’më shkon
Dhe mbaj veshin o djalë i mbarë
Një luaneshë s’martohet me gomarë.

Nga: Elmaz Fida