(…) Kronologjia e fakteve e dëshmon qëllimin pushtues dhe shfarosës serb: Serbia nënshkroi me Bullgarinë (13 mars 1912) Traktatin e Miqësisë, i cili kishte edhe një “Shtojcë speciale”, sipas të cilit Serbisë i njihej e drejta në territoret shqiptare në lindje të Sharrit. Traktate të ngjashme Serbia nënshkroi edhe me Malin e Zi dhe me Greqinë, duke krijuar të ashtuquajturën “Aleancë Ballkanike” kundër Turqisë, por e cila ishte në funksion të copëtimit të tokave shqiptare dhe të shkatërrimit të kombit shqiptar. Pas arritjes së traktateve të miqësisë me shtetet ballkanike, pas infiltrimit të grupeve terroriste serbe në Kosovë, pas infiltrimit edhe në disa segmente të lëvizjes shqiptare, pas korruptimit të disa segmenteve të administratës osmane, (furnizimi i Serbisë me armë bëhej nga porti i Selanikut), pas krijimit të opinionit në favor të luftës, Serbia e filloi mobilizimin më 30 shtator 1912, ndërsa grupet terroriste të „Narodna Odbranës“ dhe të „Cërna Rukës“, po kryenin aksione në brendi të Kosovës, për ç’shkak atasheu ushtarak francez, që më 2 nëntor shkruante: “Kosova ishte e pushtuar praktikisht disa javë para se të fillonte lufta. Atje ishin dërguar oficerë serbë dhe njerëzit e tyre më të zgjedhur të veshur me kostume fshatare, ose si tregtarë ambulantë, të cilët kishin për detyrë të siguronin marshimin e trupave të kral Petrit”.
Turqisë ultimatumi serb i ishte dorëzuar më 13 tetor 1912, kurse shpallja e luftës nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia, u bë më 18 tetor (Mali i Zi kishte hyrë më herët në luftë.) Por, agresioni ushtarak i Serbisë kundër Kosovës hasi në një rezistencë të fuqishme të forcave shqiptare, të cilat në ditët e para i gozhduan në Merdar forcat serbe. Rezistenca shqiptare e kryesuar nga Isë Boletini në Merdar, zgjati disa ditë, ndërsa më vonë u thye për shkak të epërsisë (6:1) të ushtrisë serbe, e cila kishte edhe artileri të fortë. Isa Boletini organizoi forcat shqiptare edhe në mbrojtje të Prishtinës, e pas rënies së saj, organizoi edhe mbrojtjen e Mitrovicës, ku i kishte katër mijë luftëtarë. Pas rënies së Ferizajt në duart e pushtuesit serb, rezistenca e armatosur shqiptare në Kosovë vazhdon në disa lokalitete, ndërsa Isë Boletini kaloi në Prizren e mandej zbriti në Vlorë. Pra, pushtimi i Kosovës nga Serbia është bërë me agresion të armatosur, në kuadër të Luftës së Parë Ballkanike, e cila pati për qëllim dëbimin e Turqisë nga Ballkani dhe shtrirjen e shteteve sllave mbi zotërimet osmane. Edhe pse ishte një agresion ushtarak i katër shteteve të organizuara në një aleancë sulmuese, rezistenca e shqiptarëve ka qenë mjaft e fortë dhe është bërë dëshmi e refuzimit të pushtimit.
Pas pushtimit të Kosovës dhe të territoreve të tjera shqiptare, kurrë nuk ka nënshkruar ndonjë përfaqësues i Kosovës ndonjë marrëveshje që të përligjej gjendja e re e futjes së Kosovës nën Serbi përkatësisht nën Jugosllavi. Nuk është organizuar ndonjë referendum, ose Asamble, e cila do të sanksiononte pozitën e Kosovës në kornizën e re shtetërore të Serbisë apo të Jugosllavisë. Konferenca e Londrës më 22 mars 1913 caktoi kufijtë e Shqipërisë së cunguar, por pa marrë kurrfarë miratimi të kombit shqiptar. Edhe Konferenca e Paqes e Versajit, (1919-1920), ka vendosur pa e pasur ndonjë miratim të Kosovës. (Madje as të shtatë delegacionet shqiptare që ishin në Paris, nuk e kishin asnjë njeri nga Kosova në përbërjen e tyre!)
Prandaj, pikëpamja shqiptare që nga viti 1912 e këndej kurrë nuk ka ndryshuar esencialisht: Kosova ka qenë e pushtuar nga Serbia me agresion ushtarak dhe pushtimin e ka vendosur me gjenocid. Rrjedhimisht pushtimi i Kosovës ka qenë jolegjitim. Kryengritjet e shumta kanë qenë shenjë e mospranimit të gjendjes së pushtimit dhe e përpjekjeve që të ndërkombëtarizohej problemi shqiptar i Kosovës.
Mund të thuhet me siguri të plotë se që nga tetori i vitit 1912, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, faktikisht ka ekzistuar gjendja e luftës. Intensiteti i konfliktit ka osciluar varësisht nga regjimet që kanë qenë në Serbi e Jugosllavi, nga fuqia që ka disponuar lëvizja çlirimtare shqiptare, nga kontekstet ballkanike, evropiane dhe botërore, por ai konflikt ka qenë gjithmonë i prekshëm, prezent. (Fragment nga një punim më i gjatë. Ripublikohet në vigjilie të evokimit të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike.)








