Uashingtoni pezullon sanksionet ndaj Moskës për të stabilizuar tregjet, vendet e vogla paguajnë faturën
Pavarësisht retorikës së ashpër diplomatike dhe thirrjeve për armëpushim, realiteti në terren tregon se SHBA-të dhe Izraeli po vazhdojnë intensifikimin e operacioneve ushtarake, duke zgjeruar frontet e luftës.
Ndërsa bota sheh me shqetësim përshkallëzimin e dhunës, lëvizjet e fundit taktike sugjerojnë se pas skenës së konfliktit po luhet një lojë e fuqishme ekonomike. Në një kthesë të papritur që ka tronditur aleatët evropianë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka lëshuar një licencë të veçantë 30-ditore që autorizon blerjen e naftës ruse që aktualisht ndodhet në tranzit në det.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi se ky vendim vjen si një masë e nevojshme për të stabilizuar tregjet globale të energjisë, të cilat janë goditur rëndë nga ndërprerjet në Lindjen e Mesme. Ky autorizim lejon që nafta bruto ruse, e bllokuar më parë nga sanksionet, të shitet dhe të dorëzohet deri më 11 prill, duke krijuar hapësirë ligjore për lëvizjen e miliona fuçive.
Ky vendim vërteton paradoksin e madh të konflikteve aktuale: nga lufta vuajnë vendet e mesme dhe të vogla që përballen me krizë energjetike dhe rritje kostosh, ndërsa superfuqitë si Rusia dhe SHBA-ja përfitojnë në mënyra të ndryshme.
Rusia po gjen një rrugë daljeje për naftën e saj të bllokuar, duke mbajtur rrjedhën e parave, ndërsa administrata Trump në Uashington synon të ulë çmimet e karburantit për konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Ky pragmatizëm cinik tregon se sanksionet janë elastike kur bëhet fjalë për stabilitetin e brendshëm të superfuqive. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka deklaruar se konflikti në Lindjen e Mesme po shkakton ndërprerjen më të madhe të furnizimit me naftë në histori, veçanërisht pas paralizimit të Ngushticës së Hormuzit.
Në këtë kontekst, lëshimi i licencës amerikane për naftën ruse shihet si një përpjekje e dëshpëruar për të mbushur vakuumin e krijuar. Megjithatë, ky veprim ka krijuar tensione me Bashkimin Evropian, ku Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka këmbëngulur se nuk është koha për të lehtësuar presionin ndaj Moskës, duke nxjerrë në pah përçarjen mes interesave të SHBA-së dhe sigurisë evropiane.
Pra kjo licencë 30-ditore është më shumë se një masë teknike. Është një dëshmi e faktit se gjeopolitika e energjisë peshon më shumë se parimet diplomatike. Ndërsa rreth 124 milionë fuçi naftë ruse presin në ujërat ndërkombëtare për t’u shkarkuar, bëhet e qartë se sanksionet janë shpesh vetëm instrumente politike që mund të anashkalohen kur interesat e superfuqive rrezikohen.
Ndërkohë vendet më të vogla mbeten thjesht vëzhguese të një marrëveshjeje të heshtur mes gjigantëve dhe vuajnë pasojat. /tesheshi






