Një komb që kërkon ta mposhtë varfërinë pa punë, vetëm me lutje; që lufton korrupsionin me retorikë, pa drejtësi e pa zbatim rigoroz të ligjit; dhe që përpiqet ta trajtojë papunësinë përmes martesës dhe shtimit të lindjeve, është një komb që ka humbur dallimin ndërmjet shkaqeve dhe dëshirave. Kur fjalët zëvendësojnë veprën dhe sloganet paraqiten si zgjidhje, iluzioni shndërrohet në mënyrë jetese.
Në këndvështrimin islam, njeriu është urdhëruar të marrë shkaqet para se të presë rezultatin. Besimi tek Allahu nuk do të thotë të braktisësh përgjegjësinë, por të punosh me përkushtim dhe pastaj t’ia lësh rezultatin Allahut.
Profeti ﷺ na mësoi: “Lidhe devenë dhe mbështetu tek Allahu.” Kjo do të thotë se tevekkuli i vërtetë nuk është pasivitet, por bashkim i besimit me veprën.
Varfëria nuk largohet vetëm me dëshirën për mirëqenie, por me dije, punë, prodhim dhe drejtësi. Korrupsioni nuk luftohet vetëm me fjalë të bukura, por me institucione të forta, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit. Edhe problemet shoqërore nuk zgjidhen duke ngatërruar shkaqet me pasojat.
Martesa dhe familja janë vlera të mëdha në Islam, por ato nuk mund të përdoren si zëvendësim për politikat ekonomike, arsimin dhe krijimin e mundësive. Çdo gjë ka vendin dhe shkakun e vet.
Allahu thotë:
“Dhe se njeriu nuk do të ketë tjetër përveç asaj për të cilën është përpjekur.” (Kurani 53:39)
Ky ajet na kujton se përpjekja është pjesë e ligjit të jetës. Lutja i jep shpirt punës, por nuk e zëvendëson punën. Dëshira na tregon atë që duam, ndërsa shkaqet na tregojnë rrugën për ta arritur.
Një shoqëri e shëndoshë është ajo që di të lutet me zemër, por edhe të punojë me duar.
Hoxhë Halil Avdulli








