Macron kërkon nga Vuçiqi ta dënojë sulmin në Banjskë: Pastaj zgjedhjet në veri dhe Asociacioni

Presidenti i Francës, Emanuel Macron ka bërë thirrje që homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq të dënojë sulmin e terroristëve serbë në veri më 24 shtator, dhe më pastaj të lëvizet përpara.

Sipas Macron, këto “lëvizje” përpara nënkuptojnë rikthimin e qetësisë në veri, zgjedhjet e mbajtura atje, planin franko gjerman si dhe Asociacionin.

“E dini që ne ndjekim me vigjilencë tensionet qe ekzistojnë mes Serbisë dhe Kosovës. Franca e Gjermania kanë bërë udhërrëfyes që është i mirë e presim të respektohet nga dy palët. Mendoj se është përgjegjësia e Vuçiqit të dënojë aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në veri”, ka deklaruar ai.

“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar”, tha ai.