Ballina Lajmet Kosovë Macron-Kurtit: Kosova t’i zbatojë angazhimet e marra në kuadër të dialogut

Macron-Kurtit: Kosova t’i zbatojë angazhimet e marra në kuadër të dialogut

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, një letër urimi për rizgjedhjen e tij si kryeministër.

Macron thekson se Franca mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe nxit zbatimin e angazhimeve të marrëveshjeve Bruksel–Ohër nga të dyja palët, si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai shpreh gjithashtu vullnetin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe projekteve strukturuese, duke përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 që do të mbahen në Kosovë.

Letra e urimit e Macron:

Paris, 23 shkurt 2026

I nderuar zoti Kryeministër,

Ju drejtoj urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj në postin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Europian dhe ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj europiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu t’i mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Europian. Marrëveshjet e Brukselit-Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve t’i zbatojnë angazhimet e marra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.

Po ashtu dëshiroj që Franca dhe Kosova të vazhdojnë të thellojnë lidhjet e tyre dhe bashkëpunimin dypalësh, rreth projekteve strukturuese si, për shembull, përgatitja për Lojërat Mesdhetare që vendi juaj do t’i presë në vitin 2030.

Ju lutem pranoni, zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.