Macron: Lufta në Siri do të përfundojë në shkurt të vitit 2018

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se lufta në Siri do të përfundojë deri në fund të muajit shkurt të vitit 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për Kanalin 2 të Francës, Macron tha se Bashar al-Asad dhe përfaqësuesit e tij do të trajtohen si bashkëbisedues në periudhën e tranzicionit, porse më pas Asad duhet të japë llogari para popullit dhe të drejtës ndërkombëtare për krimet e kryera.

“Lufta në Siri do të përfundojë deri në fund të muajit shkurt 2018. Bashar al-Asad do të jetë në detyrë dhe do të vazhdojë kontakti me të dhe përfaqësuesit e tij”, tha Macron.

Macron tha se prezenca e Asadit në Siri do të vazhdojë për shkak se është nën mbrojtjen e Rusisë dhe të Iranit.

“Bashari është armik i popullit sirian, kurse armiku im është DEASH-i”, theksoi presidenti francez.

“Në procesin që Franca pret të nisë në fillim të muajit të ardhshëm, përveç përkrahësve të Basharit, shpresoj t’i shoh edhe të gjithë përfaqësuesit e opozitës siriane, përfshirë edhe ata të cilët janë larguar nga shtetet e tyre jo për shkak të DEASH-it, por për shkak të Basharit”, shtoi ai.

Ndryshe, Macron javën e kaluar tha se ushtria e Francës do t’i japë fund operacionit në Siri, që vazhdon që nga muaji shtator i vitit 2015 në kuadër të kolicionit ndërkombëtar.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, në një deklaratë të enjten theksoi se Siria është pastruar nga organizata terroriste DEASH.