Macron: Nuk ka vend për vetëkënaqësi, mbështetja për të djathtën ekstreme po rritet

Dhjetë ditë para fillimit të zgjedhjeve presidenciale në Francë, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi mbështetja për të djathtën ekstreme po rritej.

“Kandidatët e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen dhe Éric Zemmour po përparojnë me ideologjinë radikale të krahut të djathtë,” tha Macron.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se Macron është gati për një mandat të dytë sipas parashikimeve ku ai pritet të fitojë 28% deri në 28.5% të votave në raundin e parë të votimit, përpara rivales së tij më të afërt Le Pen, e cila parashikohet të marrë 20% deri në 21% të votave.

Megjithatë, Le Pen ka fituar terren në javët e fundit të fushatës dhe po ngushton në mënyrë të vazhdueshme hendekun mes saj dhe Macron, i cili ka patur një rënie të lehtë të mbështetjes.

Duke pasur parasysh përpjekjet e tij aktuale për të gjetur një zgjidhje paqësore për luftën në Ukrainë, Macron nuk ia ka kushtuar plotësisht kohën e tij fushatës zgjedhore.

Në Francë, nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën absolute në raundin e parë të votimit, zhvillohet një balotazh i raundit të dytë ndërmjet dy kandidatëve që marrin më shumë vota në raundin e parë. /atsh