Mali i Zi, identifikohet sulmuesi i ambasadës amerikane

Policia malazeze ka vërtetuar identitetin e personit për të cilin dyshohet se ka hedhur bombën në oborrin e ambasadës amerikane, mbrëmë vonë. Bëhet fjalë për personin D.J. (42) nga Podgorica, shtetas i Malit të Zi. Pasi hodhi bombën në oborrin e ambasadës, D.J. kreu vetëvrasje, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e jashtëzakonshme për media të Drejtorisë së policisë sot u njoftua se identifikimi i D.J. është bërë me ndihmën e analizave të ADN-së.

Tani për tani, përjashtohet mundësia se bëhet fjalë për sulm terrorist.

“Me reagim të shpejtë dhe efikas është vërtetuar identiteti i personit për të cilin dyshohet se ka hedhur bombën M75, ashtu që e hodhi mbi rrethojën ndërsa më pas matanë rrugës së ambasadës, diku 30 metra nga ai vend u vetëvra, po ashtu, duke aktivizuar bombën”, tha Enis Bakoviç, shef i policisë kriminale.

Sipas tij, D.J. nuk është identifikuar si autor i veprave penale.

“Policia malazeze punon së bashku me agjentët e FBI-së. Kontrollojmë rrjetet sociale që ka përdorur, për të hetuar këtë rast deri në fund”, tha Bakoviç.

Prokurorja Lepa Medenica tha se prokurori doli në vendngjarje dhe kreu hetime.

“Janë marrë të gjitha gjurmët, ndërsa më pas është dhënë urdhër për autopsi. Me masat e mëtejshme është vërtetuar identiteti. Tani po vërtetohen motivet e sulmit”, tha ajo.

Nga policia njoftohet se pas sulmit të mbrëmshëm është forcuar siguria para të gjitha ambasadave në Mal të Zi.